LajmeRajon

Megaoperacion antikanabis në Shkodër, asgjësohen gati 13 mijë rrënjë

Një megaoperacion është zhvilluar në Shkodër për asgjësimin e bimëve narkotike të kultivuara në zona të thella malore.

Policia bën me dije se janë zsgjësuar në total, nëpërmjet djegies, 12 831 bimë narkotike cannabis sativa.

Në këtë megaoperacion, nga ajri u angazhuan 50 efektivë të repartit “RENEA” dhe nga toka, 500 efektivë të DVP Shkodër, të komisariateve në varësi të saj dhe të FNSH-ve Tiranë dhe Fier.

Efektivët e repartit “RENEA” janë transportuar me helikopter, pasi bimët e kultivuara ishin në një terren shumë të thellë malor dhe me rrezikshmëri të lartë për jetën e punonjësve të Policisë.

Gjatë megaoperacionit, nga ajri, morën pjesë efektivët e repartit “RENEA”dhe grupe hetimore. Efektivët e RENEA-s, me anë të helikopterit, mundën të mbërrinin në vende të ndryshme, në territorin e fshatit Palaj, njësia administrative Shosh, ku ishin kultivuar bimë narkotike cannabis sativa. Nga këto zona, Policia asgjësoi nëpërmjet djegies, 2220 bimë narkotike cannabis sativa.

Në vijim, gjatë këtij megaoperacioni, nga toka, shërbimet e DVP Shkodër, të komisariateve të Policisë në varësi të saj dhe të FNSH-ve Tiranë dhe Fier, nga terrene të vështira malore në Mnelë, Shllak, Temal, Vilzë, Prekal, Ura e Shtrenjtë, Kir dhe Ana e Malit, asgjësuan 10 611 bimë narkotike cannabis sativa.

Strukturat hetimore të DVP Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike, të asgjësuara gjatë megaperacionit “Fly”.

Show More

Related Articles

Back to top button