Kontrata mes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës për rrugën Tetovë-Prizren pritet të nënshkruhet në fund të muajit shtator. Kështu thonë kompetentët të cilët nuk japin afat konkret se kur do të fillojnë punimet, por shpjegojnë procedurat në të cilat ky projekt duhet të kalojë para se të nisë të merr formë.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët e Maqedonisë”, Ejup Rustemi është shprehur se do të ketë edhe një marrëveshje për ndërtimin e tunelit të përbashkët.
“Besoj se do të kemi edhe marrëveshjen e cila planifikon projektimin e tunelit të përbashkët. Pra pas asaj ne vazhdojmë me projektimin e rrugës që të çon deri në hyrje të tunelit. Së pari pra kemi projektin, e kemi revidimin e projektit dhe pas asaj e kemi realizimin e punimeve. Unë nuk dëshiroj që tani të flas për realizim të tillë të asaj rruge por flas për procedurat që do të na bien deri aty”, tha Ejup Rustemi.
Zëvendësministri i Transportit, Bekim Rexhepi tha se janë harmonizuar të gjitha detajet me Ministrinë e Infrastrukturës së Kosovës dhe se tani është çështje kohe se kur do të nënshkruhet.