Në ditën e dytë nga shpërthimi i zjarrit në në shpatet e Malit Sharr në mes të fshatrave Jellofcë e Poshtme dhe e Epërme, zjarri ende është aktiv, ndërsa banorët vendas, punonjës dhe vullnetarë po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit.
Sipas informacioneve nga Parku Nacional “Mali Sharr”, është djegur kullotë me sipërfaqe rreth 100 hektarë dhe bar i thatë.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) bëjnë me dije se dje zjarri është lokalizuar dhe fikur, ndërsa rreth mesditës një banorë ka raportuar se zjarri në atarin e fshatit Debreshë është riaktivizuar sërish.
“Zjarri përfshiu kullota dhe livadhe me bar të lartë të thatë, dhe shkurre të ulta. 6 punonjës nga P.N “Mali Sharr” kanë dalë në terren me dy automjete. Në shuarje janë përfshirë edhe rreth 10 banorë të fshatit”, njoftojnë nga QMK.
Dje nga QMK, Njësia rajonale në Gostivar u raportua se zjarrfikësit nga NJTKZ –Gostivar kanë marrë informatën për një zjarr në Jellofcë të Epërme, i cili është nën juridiksionin e P.N “Mali Sharr” dhe kanë filluar shuarjen e tij. Në aksionin e parë, zjarri është lokalizuar, por gjatë natës zjarri është rindezur sërisht.