LajmeRajon

Granti i USAID-it prej 34 milionë e 727 mijë dollarë, deklarata e presidentes Osmani dhe ambasadorit Hovenier

Kosova dhe USAID-i të premten kanë nënshkruar marrëveshjen për grantin në vlerë 34 milionë e 727 mijë dollarë.

Ky grant u vlerësua shumë i rëndësishëm për Kosovën, gjersa u tha se konfirmon edhe partneritetin afatgjatë Kosovë-SHBA.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një konferencë të përbashkët me ambasadorin amerikan pas nënshkrimit të grantit ka falënderuar SHBA-në për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Po ju drejtohem pas nënshkrimit të marrëveshjes e cila do të ndikojë drejtpërsëdrejti në plotësimin e objektivave zhvillimore të vendit tonë. Së bashku me SHBA-në nënshkruam marrëveshjen për grantin për zhvillim. Si rezultat i saj do të kemi në dispozicion 35 milionë dollarë, për projekte të cilat kontribuojnë në përmirësimin e jetës për gjithë qytetarëve”, tha ajo.

Presidentja shtoi se “kjo marrëveshje është vazhdim i përkrahjes së SHBA-së ndaj Kosovës”.

“Në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës ju falënderoj përzemërsisht”, përfundoi ajo.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se marrëveshja prej afro 35 milionë dollarë është për të mbështetur aktivitetet e shumta të USAID-it në Kosovë.

Ai tha se me këtë konfirmohet partneriteti afatgjatë dhe i qëndrueshëm i SHBA-së me popullin e Kosovës, raporton Telegrafi.

“Ky fond do të mbështesë qëllimet strategjike të SHBA-së për Kosovën përfshirë përpjekjet për avancimin e integrimit të Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përpjekjet për promovimin e rritjes dhe përparimit ekonomikë si dhe përpjekjet për forcimin e qeverisjes së mirë dhe zhvillimit të institucioneve demokratike”, tha ambasadori.

Sipas tij, të gjitha programet e USAID-it në Kosovë kanë për qëllim të sigurojnë se të gjithë kosovarët kanë qasje efektive dhe të prekshme në shërbimet që ofrojnë institucionet e tyre.

Show More

Related Articles

Back to top button