Ministri i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministri i Serbisë Millosh Vuçeviç, nuk humbet asnjë rast për të “treguar muskujt” e vendit të tij, sidomos lidhur me ushtrinë apo armatosjen.
Së fundmi, ai ka theksuar për emisionin “Mëngjes”, se Forcat e Armatosura të Serbisë do të vazhdojnë të armatosen kudo që të munden për të qenë të lira dhe të pavarura.
“Nislisë dhe jugut të Serbisë i treguam se çfarë po bënte Ushtria Serbe në vitet e kaluara, që të jenë më të fortë dhe të mbrojnë lirinë dhe pavarësinë e vendit. Kemi shumë më tepër në krahasim me periudhat që janë pas. Jo për të hyrë në listat se kush është më i mirë, por për të pasur komoditetin e të qenit i lirë. Një ushtri e fortë është garantuesi i paqes dhe lirisë”, tha Vuçeviç.
Më pas ai ndau disa detaje nga një bisedë me presidentin Aleksandër Vuçiç.
“Në mëngjes pata një bisedë të gjatë me presidentin, ai ka gjithmonë kërkesa dhe pritshmëri të reja, biseduam për armatim të mëtejshëm. Ne do të armatosemi kudo që të mundemi. Gjithçka që i duhet ushtrisë serbe për të qenë më e fortë, do ta marrim. Kemi diçka të re dhe nuk po mburremi”, tha ai, referuar mjeteve luftarake.
“Nëse do të shkoja te faktori njerëzor, më e rëndësishmja është që paga më të larta, uniforma më të mira, dhe nga armët do të veçoja FK-3, kjo është diçka që mbron qiellin. Shpresoj se do t’i bëjmë të tjerët të jenë të lirë dhe të pavarur”, tha Vuçeviç, pa aspak modesti.
Jo pak herë, ministri serb ka deklaruar se ushtria është e aftë dhe e gatshme për luftë por nuk dëshiron që gjërat të shkojnë deri aty. Retorika e tij u bë edhe më agresive, në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Ndaj çdo deklaratë e tij duket se i referohet pikërisht qeverisë në Prishtinë.