Dy serbë janë arrestuar të mërkurën në Mitrovicë të Veriut dhe në në Zveçan.
Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar Veton Elshani – zëdhënës i policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut.
“Ne kemi asistuar dhe i kemi dërguar për në Prishtinë”, ka thënë Elshani shkurt për Albanian Post.
Ndërsa mediumi serb me seli në Kosovë, “Kossev”, ka raportuar se bëhet fjalë për dyshime për krime lufte.
Po ashtu, për arrestimin e dy serbëve ka reaguar edhe Lista Serbe, duke e ndërlidhur arrestimin e tyre me politikë dhe duke akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Ju kujtojmë se arrestimi i bashkëkombësve, si dhe rrahja e të rinjve në Graçanicë, vijnë pasi Kurti refuzoi të marrë pjesë në mënyrë aktive në dialog dhe të depërshkallëzojë situatën në terren. Është e qartë se Kurti vazhdon me planin e tij që t’i zgjidhë çështjet e hapura politike me dhunë dhe forcë”.
“Serbët në Kosovë i trajton si pengje në procesin e negociatave, ku mund t’i maltretojë sa herë të dojë dhe me këtë t’i dërgojë mesazh Bashkimit Evropian se s’mund t’i bëjnë gjë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Edhe më 11 gusht, pesë persona prej tyre katër serbë dhe një shqiptar janë arrestuar në Zubin Potok, ndërsa një tjetër është në kërkim në lidhje me kontrabandim me mallra, narkotikë dhe sulm ndaj policisë.
Në orët e para të mëngjesit të ditës së premte Policia e Kosovës, sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani ka ndaluar një grup kontrabandistësh në tre vetura dhe një furgon në afërsi të Çeçevës.
Në momentin kur policët kanë tentuar t’i ndalojnë, sipas Elshanit, grupi ka sulmuar me armë zjarri policinë, e cila është kundërpërgjigjur.