Kreu i BDI-së Ali Ahmeti ditë më parë për TV21 zbuloi idenë e tij që në zgjedhjet e ardhshme të gjitha partitë shqiptare të garojnë së bashkë në një listë.
“Unë jam i gatshëm në një listë. Dmth të gjitha partitë shqiptare në një listë, madje sot është teknika..
Të gjitha subjektet politike me ju? Me ne, me ne, por secili me autonominë e vet”, tha Ali Ahmeti – kryetar i BDI-së.
Por opozita shqiptare nuk pajtohet. Orhan Murtezani nga Alternativa, shprehet se ata tanimë kanë formuar opozitën e bashkuar shqiptare dhe në zgjedhjet e ardhshme do të garojnë me listë të posaçme.
“Ne e kemi krijuar frontin opozitar shqiptar dhe natyrisht se ne do të shkojmë me lista të posaçme”, theksoi Orhan Murtezani – zëdhënës i Alternativës.
Bashkëpunimin në zgjedhje mes të gjitha partive politike shqiptare e mirëpriti ish-kreu i ASH-së, Ziadin Sela. Mirëpo Sela shtoi se nuk do të donte të bashkëpunonte me opozitën shqiptare, për shkak se siç tha, përvojave të hidhura në të kaluarën.
“Në qoftë se ne vazhdojmë me këtë lloj aventure, ne vetëm mund të japim mesazhin se na pëlqen të na tradhtojnë, asgjë tjetër. Dmth a nuk u mbushën me mendje ky popull, do të ketë të drejtë. Unë po them që, eksperienca e deritanishme ka treguar se ne e kemi zgjatur dorën dhe kemi gabuar”, pohoi Ziadin Sela, deputet i ASH-së.
Për deklaratat e Selës, Murtezani shprehet se ASH për momentin ka mbetur në një pozitë të palakmueshme dhe shton se tani është koha që ASH të vendosë nëse siç thotë, do të mbetet bisht i BDI-së, apo do t’i bashkëngjiten opozitës.
“Neve sinqerisht na vjen keq për gjendjen në të cilën është katandisur Aleanca për Shqiptarët dhe pozitën jashtëzakonisht të pavolitshme, e përderisa ata janë në këtë pozitë të pavolitshme, nuk mund të pritet se mund të marin ndonjë vendim racional. Nga ajo që e shohim, duket se ata kanë vetëm dy opsione. E para në zgjedhjet e ardhshme ose t’i bëhen bisht BDI-së ashtu siç janë bërë në Qeveri dhe të mbesin me dy ose tre deputetë në ato lista të përbashkëta. Dhe opsioni i dytë është që një pjesë e atyre që nuk pajtohen me këtë vendim, të shkëputen dhe të na bashkëngjiten neve”, nënvizoi Orhan Murtezani – zëdhënës i Alternativës.
Sa i përket bashkëpunimit me ASH-në, të hapur u shprehën dje nga Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike. Nga Besa thanë se Taravari është i mirërpritur t’i bashkangjitet frontit opozitar, mirëpo së pari duhet të qartësojnë pozicionin e tyre nëse distancohen nga politikat e kësaj qeverie.