LajmeMaqedoniRajon

Еdhe Sofјa dëboi priftin rus që spiunonte në Maqedoni

Pas Shkupit, edhe Sofja zyrtare dëboi priftin rus Vasian Zmeev. Ai ishte kreu i kishës ruse në Bullgari kurse mbulonte edhe territorin e Maqedonisë. Autoritetet bullgare nuk i bëjnë të ditur arsyet e dëbimit të Zmeev dhe dy kolegëve të tjerë priftërinj.

“Veprimet e tyre janë pjesë e raportit me shenjë sekrete. Nuk kam asnjë rol të drejtpërdrejtë në marrjen e vendimit. Vendimi i takon Agjencisë Shtetërore të Sigurisë Kombëtare”, tha Nikollaj Denkov– kryeministër i Bullgarisë.

Ish zëvendësministri bullgar i Punëve të Jashtme, Millen Keremdçiev, në një intervistë për BTV, shprehu hapur dyshimin e tij se priftërinjtë e Kishës Ortodokse Ruse ishin pjesë e inteligjencës ruse dhe fokusi i tyre ishte në marrëdhëniet Shkup-Sofje.

“Mund të shihet se ata ishin jashtëzakonisht aktiv edhe në Maqedoninë e Veriut, që është qëllimi kryesor i inteligjencës ruse dhe dëshira e tyre që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të kenë marrëdhënie jashtëzakonisht të këqija dhe, rrjedhimisht, Maqedonia e Veriut të mos ecë në rrugën e saj evropiane”, deklaroi Milen Keremedçiev– ish-zëvendës MPJ i Bullgarisë.

Nga autoritetet maqedonase nuk ka konfirmim se priftit rus i është ndaluar hyrja në vend. Informacioni është publikuar në disa prej portaleve në të njëjtën kohë kur tre diplomatë rusë nga Ambasada në Shkup janë shpallur “persona non grata”. Vendimi iu njoftua diplomatëve rusë më 12 shtator. Ndryshe, sipas shkrimeve, prifti Zmeev vitin e kaluar ka pasur vizita të shpeshta në vend dhe ka pasur takime me përfaqësues të Kishës Ortodokse Maqedonase. Sinodi i KOM-it nuk ka dhënë detaje rreth rastit. Prifti rus Antoni, i cili është përgjegjës për marrëdhëniet diplomatike në Kishën Ruse, ka mbërritur gjithashtu në vend në janar të këtij viti. Presidenti Stevo Pendarovski pati deklaruar se nuk ka asnjë problem me vizitën e mitropolitit rus, përderisa është në kuadër të çështjeve kishtare.

Megjithatë, ai shtoi se presidenti rus Vlladimir Putin, siç tha ai, në mënyrë të pamohueshme po përdor diplomacinë kishtare si një nga mjetet e tij në botë për të justifikuar luftën në Ukrainë. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button