LajmeRajon

Sulm me granatë dore në shtëpinë e një serbi në Gjilan 

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se orët e para të 22 shtatorit është hedhur granatë dore në oborrin e një serbi në fshatin Ranilluk.

Në raportin 24-orësh të Policisë, të publikuar më 23 shtator, është thënë se si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale në shtëpinë e viktimës.

Policia ka thënë se nuk ka të lënduar, por që rasti është duke u hetuar.

Ranilluku gjendet afër qytetit të Gjilanit.

Për sulm me granatë dore është raportuar edhe më 21 shtator në Mitrovicë të Veriut.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë sulmi në veri ka qenë shenjë revolte për arrestimin e tre serbëve, nën dyshime për krime lufte.


Tre serbët janë arrestuar më 20 shtator në veri.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – i kanë cilësuar arrestimet si “të motivuara politikisht”.

Lidhur me sulmet me granata, më 22 shtator ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“Thellësisht i tronditur me raportimet për përdorim të pajisjeve shpërthyese në disa pjesë të Kosovës. I dënojmë këto akte të dhunës dhe u bëjmë thirrje autoriteteve që të kryejnë hetime të hollësishme dhe t’i sjellin kryesit para drejtësisë”, ka thënë Hovenier në rrjetin X – të njohur më parë si Twitter.

Show More

Related Articles

Back to top button