LajmeMaqedoni

Qytetarët kritikojnë tregtarët të cilët nuk respektojnë masën e uljes së çmimeve

Qytetarët shkojnë e kthehen. Në dyert e pikave të shitjes, të cilat vazhdojnë të jenë të mbyllura për 5 ditë qëndrojnë etiketat e Inspektoratit Shtetëror të Tregut. Dy nga marketet e mëdha të kryeqytetit, u mbyllën të shtunën pasi që autoritetet konstatuan shkelje të vendimeve për ulje dhe ngrirje të çmimeve. Qytetarët thonë se ky shembull duhet të ndiqet edhe në çdo pikë tjetër, ku keqpërdoren masat.

“Me vite e me muaj kanë çmime më të larta se realisht vlejnë në treg. Profiterë të luftës, madje para krizës së kovidit e deri më tani vazhdojnë. E kanë shfrytëzuar situatën e pandëshkueshmerisë.

“Bëhet fjalë për rrjete të marketeve të cilat kanë përfituar shuma milionëshe dhe në këtë situatë mendoj se është vendim i mirë që i kanë mbyllur”.

“Nuk është dashur të mbyllen, por duhet të jenë të vetëdijshëm sepse ata jetojnë nga ne qytetarët dhe përfitojnë. Të pasurit nuk e dinë se çfarë është varfëria! Njerëzit pjekin me ujë ne vend të vajit, është e tmerrshme”.

“Gjithçka është shtrenjtuar, nuk mbeti asgjë lirë, kështu erdhi jeta! A kanë ndikuar këto çmime të ngrira? Asgjë nuk kanë ndikuar, gjithçka është shtrenjtë!”.

“Mua më ka ndodh që një ditë pasi u morën vendimet për ulje të çmimeve. Vij në market shoh në rafte për një artikull, i qëndron çmimi i garantuar, unë me shaka i pyes se kur u ra çmimi këtyre, më thonë se më mirë të jetë etiketa sesa të mungojnë. Vetë drejtori e tha që kjo i huton konsumatorët, në shumë artikuj i vënë etiketat dhe ata që nuk i përcjellin çmimet mendojnë se edhe ai përfshihet në atë grup dhe e blenë duke menduar se ka çmim të ulët kurse ajo s’ka asnjë lidhje”.

Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut thonë se aksionet në terren vazhdojnë me intensitet të lartë çdo ditë. Kontrollet e tyre janë të fokusuara në rrjetet e supermarketeve të cilat mbulojnë shumicën e industrisë ushqimore në treg, por nuk kanë munguar edhe kontrolle në pikat e shitjes me shumicë ku tregtarët janë të detyruar të furnizojnë marketet me të paktën 70% të mallit sipas muajit gusht. Autoritet iu bëjnë apel qytetarëve që të denoncojnë në numrin 191 çdo parregullsi që hetojnë në marketet e lagjeve, në furrat e bukës, në mishtore dhe në tezga të shitjes së fruta perimeve. /Alsat

Show More

Related Articles

Back to top button