Kosova u trondit nga sulmi i terroristëve serbë në Manastirin e Banjskës, ku fatkeqësisht u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunajku.
Me pamjet e publikuara së fundi nga ministri Xhelal Sveçla shihet qartë se kryesues i atij grupi terrorist ishte nënëkryetari i Listës Serbe, njëherësh krimineli Milan Radojçiq.
Pak para publikimit të pamjeve ku shihej Radojçiq, Lista Serbe njoftoi tri ditë zie për vdekjen e tre terroristëve serbë të cilët u vranë në Banjskë pasi sulmuan Policinë e Kosovës.
E për këtë përfshirje të Listës Serbe në këtë sulm terrorist në një prononcim për gazetën ‘Bota sot’ foli Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS.
Sipas tij, sulmi në veri ka dhënë shumë fakte se Lista Serbe është organizatë terroriste, ku prijës i këtij akti terrorist ishte nënkryetari i saj.
“Rasti i fundit mjaftushëm jep fakte që Lista Serbe ka qenë dhe është organizatë terroriste.
Çka duhet më shumë se fakti që nën kryetari i saj është gllavni/kryesori i krejt aktit terrorist.!
Andaj, organet kompetente duhet me urgjencë sipas legjislacionit të procedojnë me çregjistrimin e kësaj ‘partie’, njëherit të shpallet organizatë terroriste!” – deklaroi ai.
Po ashtu, Halimi tha se terroristët luftën me Policinë e Kosovës e kanë të pamundur, kësisoj parashikoi ndryshim taktikash dhe tregoi kush janë më të rrezikuarit.
“Ndryshe, duke qenë se ‘luftën’ frontale e kanë të pamundur me Policinë e Kosovës, madje pa aktivizuar hiq FSK-në, siç edhe dështuan keq me rastin e fundit, nisur nga praktikat dhe të dhënat studimore, këto organizata do të ndërrojnë taktikat, pra në vend të frontit me akte të sulmeve të fshehura, e që zakonisht përzgjedhin caqe, njëherit që mund të jenë të rrezikuara: institucionet shtetërore, veçanërisht stacionet policore, pastaj zyrtarët e lartë të shtetit, apo duke zgjedhur vende me frekuentim të madh, si kultet fetare, apo çdo vend tubim.!”
Krahas kësaj, ai tha se e gjithë përgjegjësia për këtë sulm terrorist bie mbi Listën Serbe, derisa nuk përjashtoi mundësinë që terroristët të kryejnë sulme edhe ndaj komunitetit të tyre në veri, vetëm për ta fajësuar Kosovën.
“Poashtu, nga e kaluara e faktuar si me rastin panda në Pejë, apo së fundi duke u kamufluar veturat si të KFOR-it, grupet terroriste serbe mund të inskenojnë edhe akte ndaj vetë komunitetit të tyre, duke mos kursyer civil, krejt kjo me ia mvesh institucioneve të Republikës së Kosovës, konform natyrës vuçiqiane, propaganduese e ‘viktimizuese’.
Se përgjegjësia e vetme e krejt kësaj i takon Serbisë, tregon fakti se organizimi dhe planifikimi është bërë nga Lista Serbe, si dorë e zgjatur e Serbisë, dhe për ta vulosur këtë, është mosdistancimi i presidentit të Serbisë.”, shpjegoi Halimi.