Edhe përfaqësuesit e pushtetit edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski e demantojnë VMRO-DPMNE-në se pikërisht ai ka qenë kreatori i ndryshimeve në Kodin Penal. Kryeparlamentari Talat Xhaferi mohon të ketë marrë materiale nga Gruevski, shkruan Alsat.
Përgjigjja e tij vjen pasi kryesia e VMRO-DPMNE-së akuzoi se ish-kryeministri e ka shkruar tekstin e ndryshimeve dhe ia ka dërguar përmes USB-së në zarf Xhaferit, kryetarit të BDI-së Ali Ahmetit dhe në një adresë tjetër, pa konkretizuar se në cilën adresë.
Sipas Xhaferit, bëhet fjalë për spekulim që shërben për ta defokusuar opinionin nga temat e rëndësishme.
“Është gënjeshtër e cila i shërben vetëm politikës ditore. Kuvendi merr materialet nga propozuesit e autorizuar, në formën e përcaktuar me Rregulloren e Punës. Për më tepër, nuk do të doja të përdorja fjalë të papërshtatshme që meriton një insinuatë e tillë”, tha Talat Xhaferi – Kryetar i Kuvendit.
Për herë të parë që nga viti 2019, Gruevski dje vendosi t’i drejtohet publikut maqedonas përmes një video thirrje. Në intervistë për Infomax, përveç se ka mohuar se i ka shkruar ndryshimet, ai ka shtuar se po të kishte qenë krijuesi i Kodit të ri Penal, nuk do të ishte përpjekur të shpëtonte vetëm për një rast gjyqësor, por për të gjitha rastet e ngritura kundër tij.
“Nuk ka një gjë të tillë. Kushdo mund ta bëjë një USB, unë mund ta bëj atë për 15 minuta. Çdo njeri mund ta bëjë për 15 minuta dhe të thotë se bëhet fjalë për USB të dërguar nga Gruevski. Pra, këto janë disa metoda udbashe, disa gjëra që jam i befasuar kur i shoh nga njerëzit me të cilët kam bashkëpunuar kaq shumë vite, të cilët në këtë periudhë duhet të jenë shumë më të fokusuar në rrëzimin e kësaj Qeverie”, theksoi Nikolla Gruevski – ish-kryeministër.
Sipas disa spekulimeve që janë publikuar në periudhën e kaluar, ndryshimet në Kodin Penal dyshohet se kanë qenë pjesë e një marrëveshjeje politike, e cila ka paraparë që Gruevski do të ndihmonte qeverinë të siguronte shumicë prej dy të tretash për ndryshimet kushtetuese.
Por, dje Gruevski, në të njëjtën linjë me kryesinë e partisë, tha se është kundër propozimit të tillë të qeverisë për ndryshimin e Kushtetutës.
Ndryshe, më parë Mickoski, e së fundmi edhe nënkryetari i partisë, Aleksandar Nikolloski, e akuzuan Gruevskin se qëndron pas ndryshimeve në Kodin Penal.
Nikollovski, në emisionin 360 Gradë, tregoi USB, për të cilin pretendoi se ishte provë e pretendimeve të tyre.
Nga ana tjetër, Gruevski tha se ky është sulm brutal ndaj tij dhe përderisa VMRO-DPMNE-ja është e dobësuar si parti, ai do të përmbahet nga publikimi i informacioneve që do t’i shkaktojnë dëme shtesë partisë./ Alsat.mk