Sipas shumë ekspertëve të sigurisë dhe përcjellëse të zhvillimeve të fundit në Kosovë, grupi i terroristëve udhëhequr nga famëkeqi serb Milan Radojiçiç dhe dirigjuar nga Beogradi zyrtar që vrau një polic, qëllim final kishte nxitjen e Policisë së Kosovës që të sulmonte Manastirin në fashatin Banjskë afër Leposaviqit dhe krijimin e imazhit se Kosova sulmon objektet fetare ortodokse.
Kjo nuk do të ishte hera e parë që Serbia provon prodhimin e kësaj fotografie.
Përmes të dhënave false shteti serb i ankohet vazhdimisht perëndimit se shqiptarët në Kosovë vandalizojnë objektet kishtare ortodokse.
Kështu ishte tentuar të thuhej edhe në luftën e fundit në Kosovë, por një artikull i Agjencisë Franceze të Lajmeve kishte bërë bujë të madhe kur gazetarët francezë udhëtuan në Kosovë dhe gjetën ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jo duke sulmuar, por duke ruajtur objektet ortodokse.
Artikulli me titull “Shqiptarët Mbrojnë Manastiret serbe” tregonte eksperiencën e gazetarëve të huaj që vizitonin Manastirin e Zoçishtit në Kosovë.
Artikulli ishte përkthyer edhe publikuar edhe nga shtypi shqiptar në atë kohë me 17 gusht 1998.
“Me rasë të zezë dhe me të mbathura te reza ai digjet në diell. Një shqetësim mbretëron në manastirin ortodoks të Kuzmanit dhe të Damjanit të Shenjtë, vendosur rrëze një kodrine në Jug të Kosovës. Roja ndërkohë nuk eshte prift, ai eshte kryengritës shqiptar që mban kallashnikovin anash”, fillonte përshkrimi në artikullin AFP-së.
“Për herë të parë që nga fillimi i konflikteve me forcat serbe, kryengritësit shqiptarë me shumicë myslimane të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e morën më 21 korrik Zoçishten, vend kulti ortodoks afër Rahovecit”.
Artikulli tregonte se edhe “shtatë priftërinjtë me priftëreshën si dhe 30 fshatarë serbë të rrethinës që ishin strehuar aty, kanë qenë të burgosur dhe pastaj iu dorëzuan po atë ditë Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq”.
“Prej atëherë vendet e shenjta janë në duart e luftëtarëve shqiptarë me linje fronti të gjatë një kilometër. Përkundër asaj që pohojnë serbët e rajonit, flamuri kuqezi shqiptarëve nuk valon me kambanarë”.
“Ndërtesat, dhomat e priftërinjve, morgu i vogël, çdo gjë është e paprekur”, tregonin gazetarët të befasuar me atë që kishin parë.
“Urdhrat e komandantit tonë janë të rrepta”, thotë udhëheqësi lokal i UÇK-së, “ne duhet të kujdesemi për manastirin dhe te mos leme askë që të hyjë në të”.
Një ushtar bën roje para hyrjes një tjetër në derë dhe një tjetër në fund te ndërtesës.
“Ne e vizitojmë çdo ditë për të siguruar që të mos mungojë asgjë. Gjykoni vetë”, u thotë udhëheqësi gazetarëve.
UÇK nga momenti që kishte marrë vendin s’kishte prekur asgjë.
“Në oborrin e hijesuar rrobat përkunden në erë. Në fjetore shtratet janë përgatitur, rrobat janë të radhitura nëpër sirtarë. Bletët zukasin në hoje. Asnjë gjurmë njeriu në kishë. Ikonat e shumta qirinjtë, paratë metalike në një kuti, kryqet e ndritur, altari dhe qëndismat, asgjë nuk është prekur”.
“Para këtyre ngjarjeve ne kishim marrëdhënie të mira me manastirin”, vazhdon udhëheqësi, i cili si edhe të tjerët, refuzon të tregojë emrin e vet.
Ushtarët e UÇK-së u tregojnë gazetarëve se ata s’kishin asnjë interes të shkatërronin objektet fetare të njerëzve që deri dje i konsideronin komshinj.
“Edhe pse pjesa më e madhe e banorëve të Zoçishtit janë myslimanë, ne e vizitojmë kishën, marrin pjesë në martesën e serbëve. Por policia ju ka shpërndarë armë atyre sikurse edhe serbëve të tjerë. Dhe çdo është prishur”.
“Kryengritësit bëjnë be se disa ditë para sulmit kanë parë të vendosur një mitraloz në majë të kembanares. Përpara, asnjëherë nuk eshte shtënë nga manastiri. Dhe tash pohojnë se në manastir ata kanë gjetur armë automatike, revole dhe tri granata”, tregon artikulli i vitit 1998.
“Ne duam që vendet tona të shenjta të jenë të respektuar, ndaj dhe i respektojmë këto vende të serbëve”, thotë një ushtar i UÇK-se me këmishën e tij të zezë, me thikën në brez me xhemperin e lëkurtë, me mustaqe e rregulluara, i cili lë përshtypjen e një ushtaraku të njëmendtë.
“Ndërkaq, ditën që ne kemi marrë manastirin një sheh i besimtarëve myslimanë është vrarë nga policia në Rahovec! Shkoni dhe shikoni xhamitë ato dëmtohen sistematikisht!”, flasin ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bisedë me gazetarë.
Udhëheqësi i tij e ndërprenë: “shpresojmë se ata do të vijnë të jetojnë në mesin tonë edhe pse tash për tash nuk është e mundshme”.
“Serbët pohojnë se ne e kemi përdhosur manastirin. Kjo është vetëm njëra nga gënjeshtrat e tyre. Këtu janë 60 shtëpi serbe, asnjërën nga to nuk e keni të djegur”, thotë një ushtar i ri me këmishë të zezë me celularin në brez tek prezantohet si “komandant operacional” i sektorit.
Njëjtë si këtu në këtë manastir objektet fetare nuk ishin dëmtuar nga ushtarët e UCK-së.
Derisa Serbia kishte provuar t’i prezantonte para “Evropës katolike”, sikurse “ekstremistë islamistë”.
Mediat ndërkombëtare si ky raport i agjencisë franceze kishin demantuar pretendimet e Serbisë.
Demantim i njëjtë që ndodhi të dielën e kaluar kur policia kishte rrethuar objektin kishtar, por ishte treguar e kujdesshme duke mos sulmuar brenda hapësirës së objektit.
Profesionalizmi i policisë në menaxhim të situatës është vlerësuar edhe ndërkombëtarisht.