Shqipëria mori dy lajme të shkëlqyera nga UEFA. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka u zgjodh Zv.President i UEFA-s duke shënuar një arritje të paprovuar më parë nga një shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Ndërsa lajmi i dytë ishte vendimi i UEFA-s për t’ia besuar FSHF-së dhe Shqipërisë pritjen dhe organizimin e finaleve të Kampionatit Europian 2025 për moshën U-17. Dy ngjarje vërtetë madhore e që kanë një domethënie shumë të fortë për Shqipërinë.
Një tjetër votëbesim i rëndësishëm për numrin 1 të futbollit shqiptar, që pak muaj më parë u zgjodh për herë të dytë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Kongresin e 47-të të UEFA-s që u zhvillua në Lisbonë, Portugali. Në këto zgjedhje presidenti Duka arriti një rekord teksa u rendit në vendin e parë në bazë të votave, si më i votuari, duke u zgjedhur me 45 vota në total nga 55 të tilla.
Duke folur në një prononcim për Fshf.org nga Qipro, aty ku u zhvillua edhe mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, presidenti Duka është shprehur i nderuar për këtë besim të madh që i ka dhënë qeveria e futbollit europian dhe e ka cilësuar këtë arritje si rezultat i punës së madhe të bërë nga i gjithë futbolli shqiptar ndër vite.
“Padyshim që ndihem i nderuar, i respektuar, jo vetëm unë, por i gjithë futbolli shqiptar për vlerësimin që i bën komuniteti europian i futbollit një kandidature nga Shqipëria për të qenë Zv.president i UEFA-s. Padyshim që është rezultat i kontributit të punës së gjithë futbollistëve, trajnerëve dhe i gjithë komunitetit të futbollit shqiptar për të patur një vend në drejtimin e futbollit europian. UEFA është një organizatë sportive, bashkimi i të gjitha federatave europiane dhe organet e saj drejtuese padyshim që marrin vendime për të mirën e futbollit europian në përgjithësi dhe kjo do të thotë se të qenurit në një post drejtues të UEFA-s, pra në postin e zv.presidentit, nuk të bën që të marrësh vendime të njëanshme pavarësisht Federatës nga vjen, por unë jam i kënaqur që do të japë kontributin tim në mbarëvajtjen e futbollit europian, në strategjitë e zhvillimit të tij, pse jo edhe me vendimet e përditshme apo administrative që do të duhet të marrë Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s për të mirën e futbollit në përgjithësi”, – tha presidenti Duka për Fshf.org.