LajmeMaqedoni

Osmani: Derisa nuk bëhemi pjesë e BE-së, qytetarët e Maqedonisë do të aplikojnë për pasaporta bullgare

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Bujar Osmani, në një intervistë për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAC) thotë se garancia më e mirë për ruajtjen e identitetit maqedonas është që pas anëtarësimit në NATO, vendi të bëhet anëtar i BE-së, raporton “DW”, transmeton Portalb.mk.

Sipas ministrit të Punëve të Jashtme, Maqedonia e Veriut është vendi më i keqtrajtuar në procesin e BE-së.

I pyetur nëse ka garanci se Bullgaria nuk do të bëjë kërkesa të reja pas miratimit eventual të amendamenteve kushtetuese, Osmani thotë se politika bullgare është aq e pasigurt sa askush nuk mund ta dijë se çfarë do të sjellë e nesërmja.

“Fatkeqësisht, shpesh kemi qenë të zhgënjyer dhe dinamika në politikën bullgare është aq e pasigurt sa nuk dihet se çfarë do të sjellë e nesërmja. Jam shumë i sigurt se Bullgaria do të vazhdojë të formulojë kërkesa të reja. Por për mua e rëndësishme është ajo që është në agjendën e BE-së, asgjë tjetër”, thotë ministri i Jashtëm.

Ai thotë se vendi ka arritur kompromis me Bullgarinë – një plan veprimi për pakicën dhe se duam ta zhvendosim temën nga interpretimet historike dhe çështjet e identitetit në të drejtat e njeriut dhe të pakicave, sepse ne jemi të mirë në këtë.

Këtë, thotë Osmani, e thotë si person që nuk vjen nga grupi etnik më i madh në Maqedoninë e Veriut.

Vendi, thekson ai, ka ndërtuar një model unik të një demokracie funksionale multietnike, në kundërshtim me të gjithë skeptikët që besonin se kjo nuk ishte e mundur në Ballkan.

Sipas kreut të diplomacisë, sondazhet që tregojnë se shumica e qytetarëve në vend janë kundër ndryshimeve kushtetuese janë keqinterpretuar.

“Qytetarët e refuzojnë futjen e konflikteve identitare-politike në procesin e zgjerimit të BE-së, por nuk ka rrezik të tillë nga ndryshimet e ardhshme kushtetuese, përkundrazi”, thotë Osmani, duke shtuar se ato “do të forcojnë dhe zgjerojnë demokracinë multietnike”.

Osmani thotë se është i vetëdijshëm për rrezikun që disa qarqe në Bullgari do të tentojnë të keqpërdorin gjendjen e mbi 80.000 (sipas FAC) shtetasve maqedonas që posedojnë pasaporta bullgare.

“E di që pas kërkesave për të drejtat e pakicave fshihen qëllime të pandershme. Por për mua kërcënimi më i madh është se përderisa qytetarët tanë nuk janë pjesë e BE-së do të detyrohen të aplikojnë për pasaporta bullgare për arsye sociale dhe ekonomike”, thotë Osmani në një intervistë për FAC.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orësh. Votimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Show More

Related Articles

Back to top button