Sulmuesi kosovar i Majorkës, Vedat Muriqi ka qenë lojtari më i vlerësuar i javës së shtatë në La Liga, duke qenë kështu edhe pjesë e formacionit më të mirë. Muriqi ishte më meritor në barazimin 2-2 të Majorkës ndaj Barcelonës. Sulmuesi i Kosovës, shënoi golin e parë dhe asistoi në të dytin për ekipin e tij. Kjo paraqitje e mirë e sulmuesit prizrenas nuk mbeti pa u vlerësuar, pasi u vlerësua me notën më të lartë këtë xhiro.
Sipas faqes së specializuar të statistikave “Sofascore”, Muriqi u vlerësua me notë 8.6, ndërsa pas tij ishin Raphina dhe Ivan Villar me notë 8.5. Në formacionin më të mirë të javës së shtatë e gjeten veten edhe Naço Fernandez (8.2), Loik Bade (7.5) dhe Gaston Alvarez (7.5) në mbrojtje.
Në mesfushë përveç Rafinjas dhe Suso-s, u vlerësuan edhe Aleiks Garsia (8.1), Erik Lamela (8.2) dhe Samuel Lino (8.0), ndërsa në sulm së bashku me Muriqin e gjen veten edhe Samu Omorodion (8.2).