LajmeMaqedoni

Mickoski: LSDM-ja përgënjeshtron rrenat e veta

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski komentoi fotografinë e përbashkët të kryetarit aktual të LSDM-së Dimitar Kovaçevski me paraardhësin e tij Zoran Zaev. Të dy Socialdemokratët, së bashku me zyrtarë të tjerë të partisë, u takuan në selinë e partisë mbrëmjen e djeshme dhe kanë biseduar për temën e integrimit evropian. Fotografia pason zërave në opinion se Kovaçevski dhe Zaev tashmë janë në anë të ndryshme dhe pretendohet se Zaev tani ka bashkëpunim me Mickoskin, për çka akuzoi edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski.

“Pasi shtatë muaj u përpoqën në publik, drejtpërdrejt ose indirekt të dërgojnë mesazhe se disa qendra, oligarkësh, një koalicion i ish-politikanëve me mua duan  të shkatërrojnë Kovaçevskin dhe të bëjnë puç e kështu me radhë, papritmas dje del ajo fotografi. Nuk e di se kush është përgjegjës për komunikimin e tyre strategjik, por këshilla ime do ishte ta falënderojnë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Për takimin në LSDM në rrjetet sociale informuan edhe Kovaçevski dhe Zaev. Kovaçevski ka shkruar se takimi është mbajtur nga i ashtuquajturi “ekip strategjik” i partisë. Sipas Kovaçevskit, LSDM është e përkushtuar dhe plot energji për të vazhduar me fitore dhe hapa të shpejtë në rrugën evropiane. Ai shtoi se LSDM-ja do të bëjë gjithçka për të mundësuar konsensus të plotë shtetëror dhe kombëtar për anëtarësim të plotë në BE deri në vitin 2030. Zaev, ndërkohë, shkroi se “blloku demokratik nuk përjashton, por bashkon” dhe duhet përgjegjësi për ndërmarrjen e hapave të guximshëm dhe vendimtarë, sepse anëtarësimi në BE tani duket më i arritshëm.

Megjithatë, udhëheqësi i opozitës, Mickoski, përsëriti se me kornizën negociuese tashmë të pranuar, procesi i integrimit evropian të Maqedonisë do të ishte me dekada i gjatë.

“Unë besoj në qëllimet e mira të Uashingtonit, Brukselit, Londrës, Parisit, Berlinit dhe Romës dhe të tjerëve, por nuk mund të besoj në qëllimet e mira të Sofjes zyrtare, dhe për fat të keq marrëveshja që pranuan është plotësisht asimetrike dhe është në përputhje të plotë me qëndrimet bullgare, të cilat nuk janë asgjë tjetër veçse interesi shekullor rus në Ballkan “, thot Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Ndërkohë, mbetet status quo për procesin e ndryshimit të kushtetutës, i cili është hapi i parë për hapjen e kapitujve të negociatave. Të paktën tani për tani, nuk ka takime zyrtare dhe publike për këtë temë, as ka ndonjë njoftim kur kryetari Talat Xhaferi do të caktojë votimin për nevojën e hapjes së Kushtetutës, pas së cilës do të dihet nëse është siguruar shumica prej dy të tretave. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button