LajmeRajon

Zgjedhje të jashtëzakonshme në Serbi?

Një varg dorëheqjesh të kryetarëve të bashkive anembanë Serbisë të çon në konstatimin se Serbia po përgatitet për zgjedhjet parlamentare, lokale dhe rajonale.

Sipas vlerësimeve aktuale, zgjedhjet mund të mbahen më 17 dhjetor, e përveç dorëheqjes së kryetarëve të komunave, pritet të japë dorëheqje edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç.

Kjo është një lloj përgjigje ndaj një pjese të opozitës që i ka kërkuar zgjedhje të reja presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Siç ka deklaruar edhe vetë presidenti i Serbisë, “do të jenë së bashku zgjedhjet parlamentare e lokale, si dhe ato për qytetin e Beogradit dhe disa komunave”. I pyetur nëse do të jetë bartës i listës së Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Vuçiç është përgjigjur se kjo do të ishte nder dhe kënaqësi për të.

Zgjedhjet nuk janë zgjidhje

Zgjedhjet e jashtëzakonshme zakonisht thirren për zgjidhjen e ndonjë krize politike, por bashkëbiseduesit e DW paralajmërojnë se as me këto zgjedhje nuk do të zgjidhet asgjë në Serbi. Siç tha për DW, Zoran Gavriloviç, nga Byroja e Kërkimeve Sociale (BIRODI), “ky hap tregon se ne kemi një sistem zgjedhor që është në funksion të një partie dhe një personi”.

“Ky në fakt është një keqpërdorim i zgjedhjeve, ku në vend që të zgjedhim kandidatët më të mirë, do të kemi zgjedhje në të gjitha nivelet, ku zgjedhja do të bëhet me aklamacion mes mbështetjes dhe refuzimit të pushtetit personal të Aleksandar Vuçiçit”, vlerëson Gavriloviç.

Kosova dhe opozita e papërgatitur

Nëse opozita i shihte zgjedhjet si një lloj strategjie për dalje nga kriza, pas dështimit praktik të protestave në rrugë në të gjithë Serbinë, nuk është saktësisht e qartë pse partia në pushtet dëshiron me kaq shpejtësi të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme.

Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, Çedomir Çupiç, beson se “disa ngjarje janë përshpejtuar, mbi të gjitha në Kosovë. Por Vuçiq ndoshta po llogarit edhe me papërgatitjen e opozitës për zgjedhje.

Vetë opozita ende nuk ka hartuar ndonjë strategji apo taktikë për zgjedhjet dhe supozohet se në një hark kohor kaq të shkurtër nuk do të mund ta bëjë këtë siç duhet”, tha Çupiç për DW.

Është e qartë se pas rritjes së paralajmëruar të çmimeve, gjendja ekonomike në kohën kur është dashur të mbahen zgjedhjet nuk do të jetë e njëjtë si në fund të këtij viti, vëren Zoran Gavriloviq.

”Ka frikë edhe brenda qeverisë se disponimi do të ndryshojë gjithnjë e më shumë edhe pas ngjarjeve tragjike në Kosovë. Por, përkundër kësaj, ne ende kemi një qeveri që lë pas institucionet e shkatërruara dhe shtetin e rrënuar ligjor. Prandaj mendoj se këto do të jenë zgjedhje që nuk do të zgjidhin asgjë dhe se kriza që kemi do të vazhdojë”, paralajmëron Gavriloviç.

Show More

Related Articles

Back to top button