Koordinatori i BDI-së, Arbër Ademi, në konferencë për media ka deklaruar se i vjen keq që, siç tha ai, e ashtuquajtura opozitë shqiptare është shndërruar në megafon e zëdhënës të VMRO-DPMNE-së.
“Të gjitha punët që i nis VMRO-DPMNE, e ashtuquajtura opozitë shqiptare të njëjta i vazhdon madje edhe i mbështet. Bashkë e kanë bllokuar propozim ligjin për lojërat e fatit. Vetëm sa për të rikujtuar versioni i parë i këtij ligji është dorëzuar në Kuvend në qershor të vitit 2021 dhe si komision amë ka qenë komisioni për financa dhe buxhet. Asnjëherë ama asnjëherë nuk është konvokuar seancë e komisionit për financa dhe buxhet për të aprovuar këtë propozim ligj ngase ky komisioni drejtohet nga VMRO-DPMNE”, tha Arbër Ademi, raporton SHENJA.
Ai tha se opozita duke qenë kundër këtij ligji mbrojnë monopolin dhe liberalizimin e kësaj industrie.
Për të shmangur bllokadat, tha Ademi, ata si Qeveri e kanë dorëzuar këtë ligj me flamur evropian.
Ademi tha se me këtë ligj parashihet që lojërat e fatit, kazinot,bastoret, njëherë e përgjithmonë të jenë larg shkollave fillore dhe të mesme. /SHENJA/