Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Gjermaninë me rastin e shënimit të ditës së unitetit që shënohet në kujtim të bashkimit të Gjermanisë.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ku ka shkruar për procesin e bashkimit të këtij shteti, ka thënë se që nga atëherë Gjermania ka qenë boshti i ruajtjes së një Evrope të bashkuar.
Kryeministri ka vlerësuar rolin e Gjermanisë në çlirimin dhe shtet ndërtimin e Kosovës, duke thënë se ky shtet është adresa kyçe e Kosovës për anëtarësim në BE.
“Gjermania është vendi i kthyer në shtëpi të sigurt për afër gjysmë milioni bashkatdhetarë të cilët në tre dekadat e fundit, kanë luajtur një rol kyç në jetën dhe zhvillimet sociale dhe politike në Kosovë. Republika Federale e Gjermanisë është adresa kyçe e Republikës së Kosovës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar Kurti.