Shmangien e debatit për Veriun e Kosovës në parlament, ish-kryeministri Sali Berisha e quajti një seancë turpi, kurse ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha se i “kanë dalë zot Prishtinës”.
“Jemi ata shqiptarë që nuk kandidojmë irrendentistë në bashkitë e vendit. Ne jemi ata shqiptarë që do presim samitin e Berlinit në mes të Tiranës, ne jemi ata shqiptarë që i kemi dalë për zot Kosovës në Këshillin e Sigurimit. Ne jemi ata shqiptarë që nuk i kemi shitur naftë Jugosllavisë kur luftonte në trojet e ish-Jugosllavisë dhe njerëz po vriteshin ata. Jemi ata shqiptarë që i kemi qëndruar interesit kombëtar në çdo kohë”, tha Spiropali.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u shpreh se është e turpshme që të bëhej një garë se cila rezolutë për Kosovën ishte më e mirë, mes asaj të PD dhe të PD.
“Elisa me dëgjo, pusho! Kjo lufta që ‘rezoluta ime më e mirë se e jotja, duhet të marrë fund’. Zonja kryetare, dua t’ju informoj se PE pati debat për Kosovën. Njeri është ajo që bën dhe jo ajo çfarë thotë. T’iu lëmë debatet se kush rezolute është më e mira. Ka ndodhur dhe herë të kaluara. Ka ndodhur dhe me rezolutën për Srebrenicën. S’ka asgjë të keqe se kush e bën i pari rezolutën. Ne që rrimë dhe flasim këtu gjatë gjithë ditës, ikin njerëzit.”, tha ajo.
Një sqarim për rezolutën e dha edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Bledi Çuçi.
“Në situatën kur ne duhet të jemi të unifikuar ne shtrembërojmë deklaratat e njëri-tjetrit. Nuk kemi thënë ne që duhet të hetojë vetëm Serbia, lexoni mirë, aty është rezoluta është e përgatitur me shumë kujdes në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe interesave kombëtare. Kemi thënë madje që duhet të bëjë hetim me patjetër Kosova edhe Serbia duhet të bëjë hetim, por edhe presioni ndërkombëtar për të nxjerrë rolin e Serbisë në këtë histori duhet të rritet.
Kjo është në rezolutë. Ky debat është turp edhe për shqiptarët që vazhdojmë të zihemi me retorikë boshe se dukemi si kriminelët që pasi bëjnë kontrabandë dhe vrasje në botë bëjnë shqiponjën me gishta për t’u treguar patriot”,-tha Bledi Çuçi duke ju kundërpërgjigjur kështu Gazmet Bardhit.
Ky i fundit më herët u shpreh se: “Ka një rezolutë nga PD dhe do të ishte në nderin e Kuvendi të unifikonim qëndrimin me deputetët e Kuvendit të Kosovës. Për çështje kombëtare ne nuk duhet të kemi asnjë diferencë. Nuk do të pranojmë që qëndrimi i Serbisë të përfshihet në rezolutën që do të miratojë Kuvendi i Shqipërisë. Rezoluta juaj thotë që “Serbia do të duhet të kryejë hetime”, kurse ne themi “Jo” “Kosova duhet të kryejë hetime” dhe ne do të mbështesim qëndrimin e Kosovës”.