Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, tha të enjten se do të ulet “së bashku” me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të biseduar gjatë samitit të BE-së në Granada të Spanjës.
I pyetur nëse ka takim të caktuar mes Osmanit dhe Vuçiqit, Borrel tha se “takimet bëhen për t’i ulur tensionet. Presidentja Osmani do të jetë këtu dhe po ashtu presidenti Vuçiq. Në Kishinjev, ne u ulëm së bashku, biseduam për këtë, dhe sot do ta bëjmë të njëjtën gjë. Por, gjendja është shumë më e keqe sot sesa në kohën e Kishinjevës.”
Më herët gjatë ditës, Osmani tha se nuk ka arsye për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq para se ndaj tij të vendosen sanksione për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
Më 24 shtator, Policia e Kosovës është sulmuar në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur, dhe është vrarë një zyrtar policor.
Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues.
Osmani ka folur të enjten pak para nisjes së një mbledhjeje në Granadë të Spanjës, në kuadër të Komunitetit Politik Evropian.