LajmeMaqedoni

Presidenti Pendarovski foli në Konferencën e 51-të Evropiane të Inxhinierëve të Rinj

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski ka folur me rastin e hapjes së Konferencës së 51-të të Inxhinierëve të Rinj, nikoqir i të cilit për të dytën herë është Klubi i Inxhinierëve të Rinj pranë Institucionit Inxhinierik të Maqedonisë.

Konferenca në temën “Lidhja e Gjurmëve të Inxhinierëve” u mbajt nga 5 deri në 8 tetor në Fakultetin e Shkencave Elektroteknike dhe Teknologjive Informatike (FSHETI), nën patronazhin e presidentit Pendarovski.

Në sloganin e konferencës vjetore, ka theksuar Pendarovski në fjalim, është ruajtur thelbi i punës suaj, sepse inxhinieria është shkathtësi e gjetjes së zgjidhjeve për problemet praktike përmes asaj që në mënyrë figurative  e quajmë, lidhje e pikave. Inxhinierëve, që në kohët më të vjetra, ka thënë, u është besuar detyra që të ndërtojnë rrugë të cilat i lidhin qytetet, me qëllim, zhvillimin e atyre civilizimeve.

“Rrugët inxhinierike jo gjithmonë janë të parashikueshme dhe mund të çojnë në përparime të papritura shkencore, teknike dhe teknologjike. Do të përmend vetëm dy shembuj. Në vitin 1957, dy projektues ndërtuan një pajisje që mundësohej nga energjia diellore dhe me shaka e quajtën atë ‘makina diellore që nuk bën asgjë’. Sot, energjia diellore është çelësi për zhvillimin e qëndrueshëm dhe transformimin e gjelbër të ekonomive. Dhe sistemi energjetik i Maqedonisë gjithnjë e më shumë është i orientuar drejt shfrytëzimit të potencialit diellor”, theksoi ndër të tjera Pendarovski”, njoftuan sot nga Kabineti i tij.

Para më pak se një viti, ka theksuar shefi i shtetit, pak persona e dinin për  ChatGPT. Sot, ka potencuar Pendarovski, modelet e inteligjencës artificiale që gjenerojnë përmbajtje janë përditshmëria jonë dhe bëhen të pazëvendësueshme në shumë sektorë.

Inovacionet inxhinierike, sipas Pendarovskit, shpesh herë anashkalojnë rregullimin dhe hapin hapësirë për keqpërdorime shumë të ndryshme, nga dezinformatat përmes krimit kibernetik dhe sulmit kibernetik.

Mes shumë pasigurive që sjell revolucioni i katërt industrial, një gjë është e sigurt – profesioni i inxhinierit do të luajë rol edhe më të rëndësishëm në ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme. Nga ju do të varet më shumë se kushdo tjetër nëse një vend dhe një ekonomi do të përparojë apo do të ngecë, sepse ju lidhni pikat e zhvillimit dhe ndërtoni rrugët drejt së ardhmes. Prandaj është detyrë e jona që të forcojmë partneritetin mes shtetit, shkencës, ekonomisë dhe sektorit civil për të ofruar arsim cilësor inxhinierik, është porosia e presidentit Pendarovski.

Ai ka theksuar se duhet të investojmë në ekosistemet inovative që tërheqin investime, gjenerojnë vende cilësore të punës dhe i mbajnë të rinjtë në shtet. Ju, inxhinierët e rinj, i ka porositur, jo vetëm në letër, por edhe në jetën reale, duhet të jenë shtytës i ndryshimeve pozitive.

Në hapjen e konferencës kanë folur edhe kryetarja e Institucionit Inxhinierik të Maqedonisë, Hristina Spasevska, kryetarja e Klubit të Inxhinierëve të Rinj, Tina Manoleva dhe kryetari i Inxhinierëve të Rinj Evropianë, Poll Xhenkinson.

Show More

Related Articles

Back to top button