LajmeRajon

Kosovë, presidentja Osmani takoi komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në një takim Admiralin Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Presidentes, Osmani e falënderoi komandantin Munsch për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Kosovë dhe rajon, pas aktit të agresionit dhe sulmit terrorist të Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator.

Presidentja Osmani theksoi nevojën e marrjes së masave konkrete kundër Serbisë pas aktit të agresionit dhe sulmit terrorist nga grupet paramilitare dhe kriminale të udhëhequra në terren nga Milan Radoiçiq dhe politikisht nga Aleksandar Vuçiq.

“Osmani nënvizoi se Serbia duhet t’i tërheqë trupat e saj ushtarake nga kufiri me Kosovën pasi që ato përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ajo vlerësoi angazhimin e shtuar të KFOR-it dhe NATO-s, në rritjen e sigurisë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi dhe e konsideroi atë si veprim të nevojshëm për ta parandaluar përsëritjen e aktit të ndodhur më 24 shtator”, thuhet në njoftim.

Në takim, u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë në mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe atyre të NATO-s, në ballafaqimin me sfidat e sigurisë në vend dhe rajon.

Mëngjesin e 24 shtatorit, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit në veriun e banuar me shumicë serbe në Kosovë, nga një ballafaqim i armatosur midis Policisë së Kosovës me një grup prej mbi 80 personash të armatosur rëndë humbi jetën polici Afrim Bunjaku.

Autoritetet kosovare bënë përgjegjës për sulmin e këtij grupi Serbinë, ndërsa sulmet ndaj Policisë së Kosovës u dënuan edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Show More

Related Articles

Back to top button