Lista e pa përditësuar e barnave, mundësia e mjekëve për të vendosur në mënyrë selektive se kush do të marrë terapi biologjike dhe kush jo, janë disa nga mangësitë e mëdha në funksionimin e Klinikës së Onkologjisë. Nga ana tjetër, qëndron mungesa e kontrollit mbi prokurimin e barnave, ku edhe përkundër faktit se ishin kosto të rritura për blerjen e terapive, nuk janë arritur rezultate. Këto janë vetëm një pjesë e vërejtjeve të renditura në Raportin e Entit për Revizion, të cilin drejtori i këtij institucioni ua ka paraqitur anëtarëve të Komisionit për Financa dhe Buxhet.
“Në vitin 2023, vlera e barnave të siguruara nga viti 2021, të cilat arritën vlerë prej 481 milionë e 589 mijë denarëve, është rritur në një miliard e 200 milionë denarë. Megjithatë, çfarë tregon kjo gjendje? Për shkak të mungesës së ndarjes së përgjegjësive dhe mungesës së procedurave dhe protokolleve të shkruara për mënyrën e trajtimit dhe caktimit të terapisë biologjike, krijohen mundësi që vetë mjeku të vendosë se cilit pacient do t’i jepet terapia përkatëse biologjike”, pohoi Maksim Acevski, drejtor i ESHR-së.
Revizioni i parë po ashtu tregon se prokurimi i terapisë biologjike është kryer në mënyrë joadekuate, për çka ka pasur rritje të vazhdueshme të kërkesave për mjete nga Fondi i Shëndetësisë.
“Kjo tregon se obligimet në vlerë prej 5 milionë e 735 mijë e 280 eurove e tejkalojnë buxhetin e miratuar me kusht nga Fondi për sigurim shëndetësor i Maqedonisë. Njëkohësisht, është krijuar një praktikë që vetë personeli mjekësor të ndërmarrë veprime për të siguruar terapinë e nevojshme biologjike si revers para lidhjes së kontratës për prokurim publik”, tha Maksim Acevski, drejtor i ESHR-së.
Sipas kryetarit të Komisionit kuvendor, Bojan Stojanovski, në këtë rast bëhet fjalë për sistem të organizuar të tregtisë me barna, andaj kërkon zgjerimin e hetimeve dhe caktimin e masës së paraburgimit. Ai tha se edhe pse në seancë ishte thirrur prokurori publik Lubomir Jovevski, ai nuk u paraqit.
“Brenda këtij institucioni ndoshta janë ndryshuar menaxhimet, por ai sistem i instaluar për pasurimin personal dhe vrasjen, duke vrarë pacientë, është organizuar nga shumë se 7 persona, për të cilët na informuan se po bëhet hetim. Sepse kjo nuk ka mbaruar që nga dita kur doli ky rast, por vazhdon ende dhe tani duke ulur këtu, kjo bandë e krimit të organizuar që ka vrarë njerëz për përfitime është ende duke vazhduar të punojë sepse asnjëri prej tyre nuk është i larguar dhe ka mundësi për të fshehur provat dhe për të ndikuar te dëshmitarët”, u shpreh Bojan Stojanovski, kryetar i Komisionit të financimit dhe buxhetit.
Skandali me Klinikën e Onkologjisë u hap edhe në Komisionin për Financa dhe Buxhet përmes shqyrtimit të Raportit shtetëror për Revizion, për funksionimin e kësaj Klinike. Ndryshe, kjo është hera e parë që të shqyrtohet revizioni i këtij institucioni në trupat e punës në Kuvend.