LajmeRajon

Presidentja Osmani pas takimit me senatorët amerikanë: Serbia të mbahet përgjegjëse për ngjarjet e 24 shtatorit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim senatorët e SHBA-së, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, raporton Anadolu.

Pas takimit, në një konferencë për media, presidentja Osmani tha se çdo vizitë e zyrtarëve amerikanë është “një dritare e re e hapur për avancimin dhe konkretizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis Kosovës dhe SHBA-së”. Osmani e cila tha se takimi me senatorët u përqendrua në zhvillimet e fundit në Kosovë, në veçanti tek ngjarjet e 24 shtatorit, kërkoi të rriten garancitë për sigurinë e Kosovës dhe të mbrohet kufiri me Serbinë.

“Synimet e tilla dashakeqe të Serbisë nuk mjaftohen vetëm me Kosovën por janë paralajmërim i qartë i asaj se Serbia duke shërbyer si satelit i Rusisë, ka për qëllim të destabilizojë tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kosova ka treguar seriozitet nëpërmjet veprimeve ligjzbatuese kurse në Serbi e kemi parë të kundërtën ku regjimi i Vuçiqit jo vetëm që nuk distancohet dhe nuk arreston anëtarët e grupit terrorist dhe paramilitar por ka vendosur që atyre t’u ofrojë mbështetje bllanko dhe t’i glorifikojë ata”, tha Osmani.

Ajo theksoi se gjëja më e rëndësishme në këtë moment është që Serbia të mbahet përgjegjëse, t’i dorëzojë terroristët si dhe “të rriten garancitë e sigurisë në raport me Kosovën që të mbrohet kufiri Kosovë-Serbi nga sulmet e tilla në të ardhmen”.

Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen tha se janë në Kosovë pas ngjarjeve të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, për të shprehur keqardhjen dhe ngushëllime për popullin e Kosovës. Shaheen tha se çmojnë edhe numrin e rritjes së pjesëtarëve ushtarakë në kuadër të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe rolin e tyre për ruajtjen e stabilitetit në rajon.

“Mendojmë se është shumë e rëndësishme që, siç tha edhe Osmani, përgjegjësit për ngjarjet e 24 shtatorit të japin llogari. Shpresojmë me të vërtetë që Serbia do të bashkëpunojë për këtë çështje dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë”, theksoi Shaheen.

Ajo tha se për një stabilitet dhe paqe afatgjate në Kosovë duhet të gjendet zgjidhje për bashkëjetesë afatgjate paqësore me Serbinë “dhe kjo është e rëndësishme për qytetarët e Kosovës përderisa ka sfida aktuale në botë, sikurse ajo e Ukrainës”. Shaheen shtoi se “konfliktet dhe dhuna” nuk janë zgjidhje për dallimet njerëzore.

Më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit pas një sulmi të një grupi të armatosur rëndë prej më shumë se 80 personash në drejtim të njësiteve policore kosovare, u vra polici Afrim Bunjaku, ndërsa edhe 4 pjesëtarë të këtij grupi po ashtu mbetën të vrarë.

Përgjegjësinë për organizimin e këtij grupi e mori ish-nënkryetari i partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Radiçiq u lirua nga Gjykata në Beograd një ditë pasi ai u ndalua për 48 orë dhe u mor në pyetje në lidhje me rastin e sulmit terrorist në Kosovë.

Show More

Related Articles

Back to top button