LajmeRajon

Lista Serbe thotë se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja në veri

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë të premten se partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit, është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja komunale në veri të Kosovës.

Ai tha gjatë një konference për media në Mitrovicën e Veriut se Lista Serbe e mori këtë vendim në bashkëpunim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Rakiq theksoi se tani “topi është zhvendosur në fushën e Prishtinës”, dhe se pret që në komunat e veriut të Kosovën të thirren sa më parë zgjedhjet e reja.

Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë tani, të cilët e morën detyrën pas zgjedhjeve të prillit, të cilat u bojkotuan dhe kundërshtuan ashpër nga serbët lokalë, duke shkaktuar tensionim të situatës.

Kosova, pasi u përball me masa ndëshkuese nga BE-ja, u zotua për riorganizimin e zgjedhjeve, por dëshiron ta bëjë këtë vetëm përmes një udhëzimi administrativ i cili ua mundëson qytetarëve t’i shkarkojnë kryetarët e komunave të tyre përkatëse përmes një peticioni.

Show More

Related Articles

Back to top button