LajmeRajon

Shqipëri, mbahet konferenca mbi rolin e parlamenteve në Procesin e Berlinit

Në Tiranë është organizuar konferenca me temë mbi rolin e parlamenteve në Procesin e Berlinit, duke mbledhur së bashku përfaqësues të parlamenteve nga vendet e Ballkanit, raporton Anadolu.

Konferenca organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa marrin pjesë drejtuesit e komisioneve parlamentare për çështjet evropiane dhe deputetë nga parlamentet e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në fjalën e saj në hapje të konferencës tha se parlamentet nuk janë vetëm udhëheqës, por edhe protagonistë të procesit të integrimit.

“Ne, parlamentarët shqiptarë, e kemi të qartë se integrimi evropian i Shqipërisë është një objektiv kombëtar, mbipartiak. Është një qëllim dhe një proces për të cilën ka konsensus të plotë mes forcave politike në Kuvendin e Shqipërisë. Konsensusi parlamentar është një parakusht që parlamentet të garantojnë legjitimitetin demokratik, dimensionin gjithëpërfshirës të procesit të integrimit, si edhe sinergjinë e bashkëpunimit mes parlamenteve, qeverive, institucioneve, shoqërisë civile, sektorit privat dhe qytetarëve”, tha Nikolla.

Kryeparlamentarja Nikolla u shpreh se bashkëpunimi dhe integrimi rajonal është parakusht i kurorëzimit me sukses të rrugëtimit evropian.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, gjatë fjalës në hapje të konferencës tha se Procesi i Berlinit kërkon transformim jo vetëm në aspektin diplomatik, por edhe në çështje të brendshme.

“Bashkëpunimi parlamentar rajonal lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimit në BE të rajonit. Parlamentet kanë të drejtën të bashkëpunojnë për zgjidhjen e çështjeve bilaterale”, u shpreh ministri Hasani.

Në fokus të diskutimeve të konferencës njëditore janë çështjet mbi rolin e kuvendeve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian dhe mbi Procesin e Berlinit.

Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të këtij rajoni në BE.

Show More

Related Articles

Back to top button