Njoftimi i policisë:
Tentoi të hynte në Shqipëri, ndërkohë që ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga autoritetet e Gjermanisë, për falsifikim të dokumenteve dhe përvetësim të sendeve të vjedhura, kryer në formën e grupit kriminal, arrestohet me qëllim ekstradimin, 50-vjeçari nga Serbia. Krahas angazhimit maksimal për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, për qytetarët në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk.
Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Berlin, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht I. B., 50 vjeç, banues në Serbi.
Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 50-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Berlin, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i sendeve të vjedhura”, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, në formën e grupit kriminal, sipas parashikimeve të legjislacionit penal të Gjermanisë. Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e 50-vjeçarit.