Shkup, 11 korrik – Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot në seancë plenare duhet të shqyrtohet Ribalanci i plotësuar i Buxhetit. Seanca u caktua për ora 11, ndërsa ribalanci është pika e vetme në rendin e ditës.
Në pajtim me Rregulloren e Kuvendit, debati për ribalancin në seancë plenare zgjat më së shumti pesë ditë pune.
Gjatë periudhës së kaluar, ribalanci i Buxhetit u shqyrtua në Komision të Kuvendit për financim dhe buxhet, ku u zhvillua edhe debati për amandamentet.
Në Ribalancin e plotësuar të Buxhetit janë vendosur amandamente, me të cilat sigurohen 25 milionë denarë shtesë për shëndetësi, mjedisin e jetesës dhe infrastrukturën.
Të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 245,8 miliardë denarë dhe janë për 6,9 miliardë denarë më të larta në krahasim me projeksionet iniciale të Buxhetit ose 2,9 për qind. Harxhimet e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 288,5 miliardë denarë ose më shumë për 5,9 për qind, respektivisht për rreth 16 miliardë denarë më shumë se në krahasim me projeksionet iniciale me planin për vitin 2022. Deficiti u planifikua në nivel prej 42,7 miliardë denarë, respektivisht për 5,3 për qind nga BPV.
Me ribalancin sigurohen 19 miliardë denarë më shumë në shkallë që kanë të bëjnë me implementimin e masave ekonomike për përkrahje të qytetarëve dhe ekonomisë. Mes tyre janë edhe përkrahja financiare prej 4,7 miliardë denarë për mbrojtje të standardit të qytetarëve dhe likuiditetit të kompanive, 3,2 miliardë denarë për përkrahje të sektorit bujqësor, 2,4 miliardë denarë për të ardhura të garantuara minimale, më shumë mjete për rritjen e parashikuar të pensioneve, për pagat në arsim dhe mbrojtje të fëmijëve, si dhe për përkrahje të kompanive për subvencionimin e kontributeve për pagën minimale.
Harxhimet kapitale janë planifikuar në nivel prej 32,1 miliardë denarë, me ç’rast janë planifikuar investime në rikonstruime dhe modernizime me pajisje te institucionet shëndetësore publike, investime kapitale në sferën e arsimit, mbrojtjes së fëmijëve dhe sociale, në sferën e infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe komunale, plotësimin e marrëveshjeve në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe vlerë të rritur të mjeteve për zhvillim rural, respektivisht hidrosisteme, sisteme për furnizimin e ujit dhe për kanalizim dhe infrastrukturë tjetër të ekonomisë së ujërave.
Rritja ekonomike u projektua në 3,2 për qind nga konsumi vendor, i cili pritet të shënojë rritje prej 3,3 për qind. Bruto invesitmet pritet të kenë rritje prej pesë për qind, me ç’rast krahas harxhimeve buxhetore kapitale, kontribut adekuat pritet edhe nga investimet private.