Legjenda e futbollit maqedonas, Darko Pançev, ka befasuar me një deklaratë së fundi.
Pançev ka trazuar opinionin.
Si gjithmonë troç, ai ka diçka për të thënë për një sërë temash, shkruan “Sportmedia”.
E njëra prej tyre është se a është dhe sa i afërt është ai me menaxhmentin aktual të Federatës së Futbollit të Maqedonisë dhe nëse po i bën ballë
FFM-së me deklarata të caktuara, veçanërisht presidentit Muamed Sejdini.
“Kush e njeh Darkon e di që unë nuk i kam bërë ballë askujt.
Kam qenë gjithmonë objektiv.
Meqë ra fjala, më kanë mërzitur disa deklarata dy vite më parë, pastaj shkrimet e disa mediave.
Kjo kombëtare është më e mira në histori, për shkak të suksesit dhe kualifikimit të Kampionatit Evropian, kryetrajneri, në atë kohë ishte trajneri më i mirë në histori e kështu me radhë.
Po në FFM, presidenti?
E nga ana tjetër shkruajnë se duhet të zëvendësojnë presidentin.
Prit pak, pse je i njëanshëm?
Nëse e cilëson atë përzgjedhje dhe atë trajner si më të mirët në histori, atëherë edhe presidenti i FFM-së duhet të cilësohet si më i miri në histori.
Po ai e drejton Federatën, jo unë.
Kështu që edhe ai e meriton suksesin.
Pastaj ai është presidenti më i mirë në histori.
Përndryshe, nëse do të kisha dalë me Sejdinin, ai me siguri do të më kishte vënë në një pozitë deri tani”, tha Pançev.