Lirimi nga akuza e ish-shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov, në lëndën “Target-Fortesa”, zëvendëskryeministrja për politika për qeverisje të mirë, Sllavica Grkovska, thotë se ka qenë i pritur të ndodhë edhe po të mos ndodhnin ndryshimet në Kodin Penal. Sipas saj, ky është një rast që është zhvilluar në labirintet e gjykatës për 5 vjet, Apeli e mbajti në mënyrë të pajustifikueshme për 9 muaj dhe ne ishim të vetëdijshëm se rrezikonte të vjetërsohej edhe vitin e kaluar kur erdhi vendimi i Apelit, u shpreh Grkovska.
“Për fat të keq ne ishim dëshmitarë edhe në mars të këtij viti që për personin e njëjtë të vjetërsohet lënda, kur gjykatësi e shtyu seancën disa ditë pas datës kur vjetërsohej lënda për personin e njëjtë. Dua të apeloj për përgjegjësi te organet e drejtësisë sepse vlerësoj se ende ka kohë që rastet e PSP të procedohen në mënyrë efikase dhe të drejtë”, deklaroi Sllavica Gërkovska, zv/kryeministre për Politika për qeverisje të mirë.
Prokurorja publike Lençe Ristoska, dikur prokrurore në PSP, dje tha se fatkeqësisht në këtë rast nuk do të ketë zgjidhje penalo-juridike dhe sërish nuk do të ketë përgjegjësi për përgjimet e paligjshme në vend. Vjetërsimi i lëndës, sipas prokurores, është pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve në Kodin Penal.
“Sikurse në tre rastet e përgjimeve, gjegjësisht dy të mëparshmet dhe këtë, për fat të keq nuk do të kemi zgjidhje penalo-juridike në këtë rast dhe sërish nuk do të ketë përgjegjësi për përgjimet e paligjshme në shtet. Kemi vjetërsim të plotë si pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve në Kodin Penal”, pohoi Lençe Ristoska – prokurore.
Në pyetjen se si e sheh Komisioni Europian këtë çështje, euroambasadori Dejvid Gir tha se KE ka shprehur që moti shqetësimi për implikimet që mund të dalin nga principi i mos dënimit që dalin nga këto ndryshime. Ai tha se KE vazhdon të ndjek pasojat që dalin nga ndryshimet në Kodin Penal dhe do të dalin me vlerësime të reja.
Përndryshe, Gjykata Penale ndërpreu ndjekjen penale për rastin “Target-Fortesa”, gjegjësisht përgjimin masiv të qytetarëve në të cilin akuzoheshin Sasho Mijallkov, Goran Gruevski, Nadica Nikoliq, Vlladimir Varellov, Marijan Shumulikovski dhe Vasil Isakovski. Ndryshimet e fundit në Kodin Penal mundësuan që Mijallkov të lirohet nga vepra më e madhe për të cilën akuzohet, ndërsa tre të akuzuar do të vazhdojnë të ndiqen penalisht për shkatërrimin e aparateve për përgjim.