Edhe shefi i shtetit Stevo Pendarovski mendon se disa lëndë gjyqësore vjetërsohen qëllimisht, por sipas tij, duhet të zbulohet arsyeja pse bëhet kjo.
Në një paraqitje në TV21, Pendarovski tha se në mesin e personave të përgjuar është edhe ai dhe nuk e kupton pse lënda deri tani nuk ka përfunduar dhe pse e njëjta tre herë më parë është kthyer për rigjykim.
Ai beson se në të gjithë rastin ka pengesa nga disa gjyqtarë.
Pendarovski thotë se tani do të dëshironte që vëmendja t’i drejtohej gjyqtarëve që i mbajnë lëndët në sirtar, qoftë të pavarur apo nën ndikimin e disa qendrave të pushtetit politik, dhe të përcaktojnë pse e bëjnë këtë.
“Unë kam qenë një nga ata 10 persona që në vitin 2016, kur erdhëm në pushtet, u pajtova me argumentin e Brukselit se nuk duhet të procedohet me kontroll të plotë për rizgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj. Argumenti i Brukselit në atë kohë ishte se ata kishin një përvojë të keqe me të në Shqipërinë fqinje dhe se vetëm 20 për qind e kandidatëve kaluan. Sinqerisht më vjen keq që nuk e kundërshtuam sepse edhe 20 për qind të kishin kaluar do të ishin njerëz me dinjitet dhe integritet”, theksoi Pendarovski në prezantimin e tij.