Vizita e paralajmëruar e kryetares së Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen nga njohësit e çështjes shihet si përpjekje për një presion tjetër ndërkombëtar për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Vizita është paralajmëruar për në fund të muajit por agjenda e takimeve dhe data e saktë pritet të konfirmohen ndërkohë nga Qeveria dhe nga komisioni Evropian.
“Kryetarja Von Der Leyen sigurisht nuk vjen t’i shohë bukuritë e Maqedonisë por vjen të takojë partitë politike dhe të bëjë ndonjë lloj presioni në lidhje me ndryshimet kushtetuese të cilat ata duan që të ndodhin. Unë shpresoj se pika e parë në agjendën e saj në takimet me partitë politike do të jetë sundimi i së drejtës dhe atë që e bëjnë partitë politike duke mos zbatuar drejtësinë dhe me miratimin e ligjeve kriminale”, tha Sinisha Pekevski, ekspert.
Gjithsesi, sipas njohësit të çështjeve politike Sinisha Pekevski, nuk ka gjasa për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
“Të gjithë e kanë të qartë se ndryshime kushtetuese nuk do të ketë as këtë vit dhe as gjatë periudhës së pushtetit të kësaj garniture të qeverisë. Ndryshimet kushtetuese, me ndonjë marrëveshje të caktuar, do të ndodhin në mandatin e ardhshëm dhe me kushte të tjera”, tha Sinisha Pekevski, ekspert.
Vizitën e Von Der Lajen një ditë më parë e konfirmoi kryeministri Dimitar Kovaçevski por duke thënë se agjenda mbetet të konfirmohet. Më vonë kreu i opozitës Mickoski tha se nuk ka informacion nëse kryetarja e KE-së parashikon ta takojë edhe atë por se nëse e bën, do t’i shpalosë qëndrimet e partisë së tij.
Në muajin gusht në vend qëndroi zv/ndihmës i sekretarit amerikan të shtetit Gabriel Eskobar, po ashtu në kuadër të fushatës ndërkombëtare për zhbllokimin e procesit të integrimit për vendin. /Alsat.mk