Nën moton “Mos hesht ndaj masakrës në Palestinë”, qindra qytetarë sot kanë protestuar para Xhamisë së Murat Pashës në Çarshinë e Shkupit, duke bërë thirrje për ndalim të dhunës në Gaza dhe reagim të faktorit ndërkombëtar.
Pas faljes së namazit të xhumasë, sot në Shkup është mbajtur protestë për t’u solidarizuar me popullin palestinez të organizuar nga “Platforma për mbështetje të Palestinës”, e përbërë nga një rrjet organizatash që operojnë në vend. Qytetarët, me thirrje e flamuj të Palestinës dhe të vendeve të rajonit, kanë bërë thirrje që sulmet izraelite ndaj popullatës civile të ndërpriten, ndërkaq faktori ndërkombëtar “të mos shikojë sehir”.
“Sulmet barbare që u kanë humbur jetën më se 3.500, kryesisht fëmijë, duhet të marrin fund sa më parë. Komuniteti ndërkombëtar në krye me OKB vetëm po bën sehir dhe nuk po ndërmerr asnjë masë kundër masakrave që po kryhen ndaj njerëzve të pafajshëm.
Qëndrimi i pavendosur i komunitetit ndërkombëtar që ka mbyllur sytë ndaj shkeljeve sistematike të të drejtave njerëzore që vazhdojnë prej shumë vitesh ndaj popullit palestinez nuk përfaqëson aspak qëndrimin e qytetarëve me ndërgjegje të Maqedonisë së Veriut”, thanë përfaqësuesit e organizatorëve.