Agjencia për Komunikime Elektronike (AKE) ka dhënë sot aprovimet për “Telekomin e Maqedonisë” dhe “A1 Maqedoni” për gjeneratën e pestë celulare 5G, duke na bërë vendin e parë në Ballkanin Perëndimor që prezanton një rrjet të vërtetë 5G.
Aktualisht, siç tha drejtori i AKE-së, Jeton Aqiku, “Telekomi i Maqedonisë” tashmë ka mbuluar territorin e 16 qyteteve me rrjetin 5G dhe është duke punuar në pjesën e Tetovës dhe Gostivarit, ndërsa “A1 Maqedoni” është duke punuar në mbulimin e territorit të Shkupit. Sipas tij, “Telekomi i Maqedonisë” pritet të jetë i pari që do të mbulojë të gjithë territorin e vendit me një rrjet funksional 5G, i cili duhet të jetë 10 herë më i shpejtë se 4G.
“Bëmë matje në rrjetin 5G që treguan se rrezatimi me këtë teknologji është shumë më i ulët se i vjetri me 4G. Ne si AKE bëmë atë që mundëm, matëm, do të masim dhe do të vazhdojmë të masim për të treguar shkencërisht se nuk ka rrezatim të tillë siç po akuzojnë në rrjetet sociale. Do të bëjmë çmos që t’i informojmë qytetarët se nuk ka nevojë për panik”, tha Aqiku pas dhënies së miratimeve.