LajmeMaqedoni

Fjalimi i Kryeparlamentarit Xhaferi në Samitin e dytë parlamentar të Platformës ndërkombëtare të Krimesë

Me nder të veçantë dhe kënaqësi marr pjesë në këtë Samit të dytë parlamentar të Platformës Ndërkombëtare të Krimesë në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal. Që nga fillimi jam fortë i bindur se qëndrojmë në anën e vërtetë të historisë dhe se mbështetja jonë do të jetë shumë e rëndësishme në çlirimin e Krimesë  dhe ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Siç e keni të njohur, pas mbajtjes së Samitit të parë parlamentar të Platformës së Krimesë vitin e kaluar në Zagreb, në pajtim me Deklaratën e përbashkët nga Samiti, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut formuam Grup Ndër-Parlamentar Partiak për mbështetjen e Platformës së Krimesë. Në grup anëtarë janë koordinatorët e grupeve parlamentare në Kuvend dhe i njëjti është i hapur për anëtarësim për gjithë deputetët, a tre prej tyre janë të pranishëm edhe këtu në këtë Samit.

     Zonja dhe zotërinj,

Duke e marrë parasysh rrjedhën, kjo luftë mund të zgjasë më gjatë dhe  viktimat që janë rezultat i konflikteve të këtilla të mëdha janë të paevitueshme. Megjithatë, demokracia çdoherë ka frymë më të gjatë në betejën kundër tiranisë dhe në fund ajo do të korrë fitore. Ngjarjet e fundit në Izrael dhe në Rripin Gaza na dekurajojnë akoma më shumë në drejtim të asaj se prej dite në ditë bota de-humanizohet gjithnjë e më shumë dhe kam drojë se do të vijmë në pikën prej të cilës nuk do të ketë mundësi për kthim prapa.

 Pikërisht për këtë dëshiroj të theksoj nevojën për ndriçimin e përpiktë të keqpërdorimeve të vrazhda të drejtave të njeriut, të cenimit të drejtës humanitare ndërkombëtare dhe mohimit të drejtave civile dhe politike nga ana e Federatës Ruse në Ukrainë. Krahas dënimit të padyshimtë të agresionit të paarsyeshëm luftarak kundër Ukrainës, është e domosdoshme që ne, kryetarët e parlamenteve të zgjedhur demokratik, të theksojmë edhe ndikimin multi-dimensional të kësaj lufte dhe të pasojave humanitare nga ajo. Flas për milionat e njerëzve brenda të zhvendosur dhe refugjatëve luftarakë, për persekutimin dhe torturimin selektiv, për dhunën seksuale, rreziqet nga trafikimi, kidnapimi i tatarëve të Krimesë dhe ukrainasve etnikë dhe transferimin e dhunshëm të fëmijëve ukrainas nga ana e Federatës Ruse.

Të nderuar kolegë,

Kryesimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut me Organizatën e Sigurisë  dhe Bashkëpunimit në Evropë (OSBE) këtë vit i vë në vendin qendror njerëzit, a gjendja në Ukrainë është gjithsesi një nga prioritetet kryesore. Në atë cilësi, e dënuam mbajtjen jo-legjitime të të ashtuquajturave “zgjedhje” nga ane e Federatës Ruse në territoret përkohësisht të okupuara të Ukrainës, përfshirë edhe Republikës Autonome të Krimesë dhe qytetit të Sevastopolit. Njëherazi, theksuam se çfarëdo zgjedhje në kuadër të kufijve të pranuara ndërkombëtare të Ukrainës mund të mbahen vetëm në pajtim me legjislacionin nacional dhe standardet ndërkombëtare.

          Zonja dhe zotërinj,

Në fund, dëshiroj të shpreh kënaqësinë time që Platforma Ndërkombëtare e Krimesë u shndërrua në trup i cili i bashkon përpjekjet tona të përbashkëta për mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, për vendosjen e paqes dhe prosperitetit në rajon dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive njerëzore. Me këtë, ne e mbrojmë Evropën dhe gjithë botën liridashëse, sepse këto janë vlera të cilat i respekton dhe vlerëson e gjithë bota demokratike. Si vend – kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Republika e Maqedonisë së Veriut beson se institucionet e Bashkimit Evropian do e mbajnë perspektivën e zgjerimit të Unionit me të gjitha vendet-kandidate tjera si një proces i besueshëm dhe i dukshëm, i bazuar mbi merita, duke i pasur parasysh edhe sfidat aktuale gjeo-politike të sigurisë. Më lejoni në emër të vendit tonë, në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, të konfirmoj mbështetjen për popullin dhe shtetin ukrainas me të gjitha mundësitë tona, deri në lirinë e plotë të Ukrainës. Ju faleminderit për vëmendjen!

Show More

Related Articles

Back to top button