LajmeMaqedoni

Maqedoni e Veriut, hapet objekti i ri i Departamentit të ekzaminimeve forenzike

Në Maqedoninë e Veriut është hapur objekti i ri i Departamentit të ekzaminimeve forenzike pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).

Në hapjen e objektit morën pjesë një delegacion qeveritar i kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, deputetë, drejtorë të departamenteve të MPB-së, si dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer.

Në fjalën e tij, kryeministri Kovaçevski tha se ky është objekti më i madh për ekzaminime forenzike në rajon.

“Për herë të parë në historinë e shërbimit të ekzaminimeve forenzike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ne po përmirësojmë kushtet e punës së pjesëtarëve të MPB-së në një nivel kaq të lartë. Nga ana tjetër, këto laboratorë forenzikë modernë dhe mirë të pajisur, do të jenë një mjet i dobishëm për policinë dhe sistemin e drejtësisë në luftën kundër krimit, që do të rezultojë në hetim më cilësor dhe rritje të aktivitetit zbulues. Kjo i mundëson policisë sonë të jetë në hap me procedurat moderne, praktikat dhe standardet evropiane”, tha Kovaçevski, duke shtuar se investimi për objektin e ri është pjesë e programit IPA.

Nikoqiri i manifestimit, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, theksoi se ndërtimi i objektit të ri paraqet investim të rëndësishëm kapital për të ardhmen e forenzikës në vend. Njëkohësisht, ai falënderoi BE-në për mbështetjen e ofruar.

“Për kënaqësinë time të madhe, sot mund të them se fitojmë laboratorin më të madh dhe më modern forenzik në Ballkan. Hapësirat e reja, të dizajnuara sipas nevojave të disiplinave të ndryshme forenzike, do të paraqesin një motivim shtesë për punonjësit që të vazhdojnë me përmbushjen cilësore të detyrave delikate”, tha ministri Spasovski.

Ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e forenzikës gjatë hetimit dhe ndjekjes së krimit.

“BE ka vendosur standarde minimale për praktikën forenzike në të gjitha vendet anëtare të BE-së, standarde që duhet t’i zbatojnë edhe anëtarët e ardhshëm. Dhe ky projekt synon të bëjë pikërisht këtë. BE-ja siguroi pajisje të specializuara forenzike dhe financoi ndërtimin e kësaj ndërtese të bukur në të cilën ndodhet departamenti me vlerë 3,6 milionë euro”, tha ambasadori Geer.

Pas fjalimeve hyrëse, përfaqësuesit e lartë vizituan dhe u njoftuan nga afër me disa hapësira dhe pajisje të objektit.

Show More

Related Articles

Back to top button