LajmeRajon

Kurti dhe Vuçiq sot në Bruksel për takime me udhëheqësit evropianë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qëndrojnë sot në Bruksel për një sërë takimesh me udhëheqës të Bashkimit Evropian.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, takimet e tyre të ndara janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.

“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.

Kurti dhe Vuçiq do të priten veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Në takime do të jetë i pranishëm edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili, po ashtu, do t’i informojë krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së për gjendjen në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Stano tha se ndonjë takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, tash për tash, nuk është planifikuar.

Por, disa burime diplomatike në Bruksel thanë se takimi i tyre i përbashkët do të varet nga takimi me udhëheqësit evropianë.

Përfaqësuesit e këtyre të fundit janë pjesë e “pesëshes së madhe” që vizitoi Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor dhe u paraqiti një plan për normalizimin e marrëdhënieve.

Stano konfirmoi se plani përmban një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa, sipas burimeve të BE-së, nga Serbia kërkon të konfirmojë mbështetjen e saj për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.

Qeveria e Kosovës tha se Kurti është pajtuar që ky plan të jetë “korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate”./rel

Show More

Related Articles

Back to top button