LajmeRajon

Shqipëri: Nderohet ish-kryeministri Kostandinos Mitsotakis

Sheshi në fshatin fshatin Derviҫan, në krahinën e Dropullit, në Gjirokastër, ku jeton një minoritet grek, ka tanimë në qendër të tij edhe bustin e inaguruar të premten, (27.10) me pjesëmarrjen e autoriteteve vendase dhe atyre greke. Kostandinos Mitsotakis nderohet si i pari kryeministër grek që vizitoi Shqiperinë në vitin 1990, në prag të rënies së diktaturës komuniste.  Vizita e tij, 33 vite më parë, mbetet historike në klimën pozitive që ajo solli në marrëdhëniet e trazuara mes dy vendeve fqinjë.  Nga qeveria e Tiranës nderimi i ish kryeministrit grek Kostantin Mitsotakis shihet edhe si një dëshmi e vullnetit dhe dëshirës për të tejkaluar tensionet aktuale mes dy vendeve.

Kostandin Mitsotakis rivendosi marrëdhëniet Greqi Shqipëri

Ai luajti një rol historik në rivendosjen e marrëdhënieve mes Greqisë dhe Shqipërisë, dy vende fqinjë të ndara prej gjysëm shekulli nga “Ligji i Luftës” që Greqia shpalli me Shqipërinë, në Luftën e Dytë Botërore, pas sulmit të Musolinit për ta pushtuar atë nga territori shqiptar, i pushtuar po nga Musolini.

Për fat të keq, ky ligj absurd nga Lufta e Dytë Botërore vazhdon të jetë në fuqi edhe sot e kësaj dite mes dy vendeve anëtare të NATO-s.

Kryeministri Rama i bëri homazh në fjalën e tij kontributit të ish-kryeministrit Konstantinos Mitsotakis  në Luftën e Dytë Botërore, kur solli në vëmendje shërbimin e tij “si toger në luftën kundër pushtimit gjerman të Greqisë, anëtar në lëvizjen kombëtare të Kretës, burgosjen nga nazistët dhe përballimin me  dënimin me vdekje”.

“Konstantin Mitsotakis u burgos dhe u dënua me vdekje dy herë nga nazistët, por mbijetoi për mrekulli falë shkëmbimit të 30 të burgosurve gjermanë me dhjetë të burgosur grekë. Për kontributet dhe aktet e tij të jashtëzakonshme të rezistencës, ai u dekorua dy herë pas luftës nga qeveritë e Greqisë dhe Britanisë së Madhe,” theksoi kryeministri Rama në fjalën e tij të rastit.

A mund të tejkalojë ky nderim tensionet aktuale?

Kryeministri aktual, Kyriakos Mitsotakis, nuk mori pjesë në ceremoninë e nderimit të të atit. Ai nuk mbajti premtimin e dhënë publikisht, në dhjetor të vitit të kaluar, kur gjatë vizitës së tij në zonat e minoritetit grek deklaroi se “do të rikthehej në Shqipëri kur të vendosej busti i babait të tij dhe sheshi i fshatit Derviҫan do të merrte emrin e tij.”

“Do të kisha dashur shumë që Kyriakos Mitsotakis, djali i Konstantinos, kryeministri aktual i Greqisë dhe miku im i dashur, të ishte sot këtu. Me siguri, ai do të kthehet në sheshin që tani mban emrin e babait të tij,” tha kryeministri Rama në fjalën e tij të rastit. Greqia u përfaqësua në ceremoninë e rastit nga politikani grek, Dimitris Avramopoulos dhe ambasadorja greke në Tiranë, Kostantina Kamitsi.

Show More

Related Articles

Back to top button