Anëtarësimi ynë në Bashkimin Evropian do të kontribuojë më tej në forcimin e besimit në sistemin gjyqësor, kështu është shprehur Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga.
Ai në kuadër të Forumit Ministror ka zhvilluar një takim me komisionerin evropian, Didier Reynders.
Komisioneri Reynders përshëndeti aktivitetet reformuese të deritanishme, që Republika e Maqedonisë së Veriut t’i bashkohet familjes evropiane dhe të bëhet një shtet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian.
Ministri Lloga shprehu kënaqësinë që vendi ynë është nikoqir i një ngjarje kaq domethënëse pikërisht në këtë moment, kur po ndërmerren hapa kyç për avancimin e negociatave. Jemi të përkushtuar intensivisht me të gjitha kapacitetet tona për përgatitjen e Udhërrëfyesit për Sundimin e Ligjit që do të përcaktojë drejtimin e reformave dhe masat drejt qëllimit tonë përfundimtar – përmbylljes së negociatave deri në vitin 2030.
Jemi në pritje të Raportit për Sundimin e Ligjit si instrument për zbulimin e hershëm apo parandalimin e sfidave me sundimin e ligjit. Ky hap i Bashkimit Evropian paraqet vendosjen e një baze të barabartë me shtetet anëtare në drejtim të monitorimit të reformave aktuale dhe do të ketë rëndësi të veçantë për ne në procesin e integrimit të shpejtë.