Mbi 30 minatorët grevistë të “Trepçës” kanë kërkuar ndihmë mjekësore në 24 orët e fundit.
Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar kryetari i suspenduar i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi.
“Gjatë 24 orëve të fundit mbi 30 veta kanë kërkuar ndihmë mjekësore”, tha Jonuzi.
Sot po shënon dita e tetë prej se minatorët në Trepçë kanë hyrë në grevë.
Ata po kërkojnë realizimin e pagës mujore me kohë dhe përmirësimin e kushteve të punës. Për të gjitha këto, ata kanë kërkuar garanci me shkrim.
Rreth 20 minatorë kanë kërkuar vetëm të dielën trajtim mjekësor.
Në anën tjetër, minatorët grevist kanë thënë se përkundër gjendjes së rëndë shëndetësore, ata nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.
Derisa, ata kanë kërkuar që edhe kryeministri Albin Kurti të ju shkojë në vizitë e të informohet drejtpërdrejt me kërkesat e kushtet e tyre.
Menaxhmenti i Trepçës nuk duket se ka shprehur vullnetin e tyre për t’ua plotësuar kërkesat. Në faqen e tyre në ‘Facebook’, ata i kanë kryqëzuar grevistët duke tentuar t’i dekonspirojnë se po hanë drekë e darkë dhe po ka hyrje-dalje në minierën e Stantërgut.