LajmeMaqedoni

Sërish shpallje për “Bechtel dhe Enka”, nuk ka ekspertë për shpronësim

Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore ka përsëritur shpalljen me të cilën kërkohen ekspertë për eksprorim, për dokumentacion projektues për objektet energjetike dhe ndryshe nga korriku, në shpalljen e tetorit pagat e ofruara janë më të larta për 5000 denarë, shkruan PRESSonline.al

Tre muaj pas shpalljes së parë (26 korrik), Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore më 24 tetor praktikisht shpalli të njëjtin konkurs për punësimin e punëtorëve në Njësinë e Projektimit për zbatimin e projektit për ndërtimin e infrastrukturës së Korridorit 8 (seksioni Tetovë – Gostivar – Bukojçan dhe projekti për autostradën Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë) dhe Korridorin 10D (pjesa e autostradës Prilep – Manastir) për një kohë të caktuar.

Punësimet janë deri në përfundim të Projektit, pra deri më 22 janar 2028. Ndër të tjera, sërish kërkohet ekspert për eksprorim edhe atë për pagë fillestare prej 49.500 denarë, e cila për dallim nga shpallja e parë për të njëjtën pozitë është rritur për gati 5.000 denarë. Orari i punës është një ndërrim prej 8 orësh në ditë, dhe koha javore e punës është 40 orë nga e hëna në të premten. Për të njëjtën pagë fillestare për të njëjtat orë pune kërkohet sërish një raportues i projektit, ndërsa paga që tani ofrohet është rritur për 5000 denarë.

NP “Rrugët Shtetërore” kërkon edhe pesë specialistë për investime dhe ndërtim rrugësh, paga bazë e të cilëve do të jetë 60.480 denarë dhe për këto pozita paga e ofruar është më e lartë se ajo në konkursin e parë (55.037 denarë) dhe e njëjta pagë është treguar për specialistët për përgatitjen, ndërtimin dhe monitorimin e dokumentacionit të projektit, për mbrojtjen e mjedisit dhe për objektet elektrike, gjithsej 5 në numër. Për këto vende pune do të zbatohet i njëjti orar prej 8 orësh nga e hëna në të premten. Përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet brenda 45, 90 apo 120 ditëve pas përfundimit të afatit për aplikim, në varësi të numrit të aplikimeve të pranuara, thuhet në njoftim, përcjell PRESSonline.al

Deri më tani janë mbajtur disa panaire për punësim në organizatën e “Bechtel dhe Enka”, por duke gjykuar nga interesi i treguar, vështirë se do të arrihet numri i 8000 ndërtuesve të parashikuar që duhet të angazhohen në ndërtim.

Si kryeministri Kovaçevski ashtu edhe zëvendëskryeministri Grubi vazhdimisht ftojnë publikisht të interesuarit që të vijnë në panairet e punësimit që filluan në Tetovë dhe Gostivar dhe vazhduan në Prilep.

– Jemi optimistë për panairet, presim interesim të madh nga qytetarët, sepse realisht bëhet fjalë për vende pune që mbulojnë disa fusha dhe profile shumë të ndryshme. Ne kemi nevojë për më shumë se 2000 punonjës, deri më tani janë 150 dhe janë pranuar 370 aplikime. Ne do t’i shqyrtojmë ato dhe do të shohim se cilat profile na përshtaten. Sa i përket pagave, ne jemi në korrelacion me ofertën vendore dhe me tregun – tha Joshua Baker, drejtor i projekteve të Bechtel dhe Enka më shumë se një muaj më parë, përcjell PRESSonline.al

Meqë ra fjala, deri më tani, në llogarinë e konsorciumit amerikano-turk që supozohet të ndërtojë autostradat e korridoreve 8 dhe 10D janë derdhur rreth 175 milionë euro, nga 250 milionë euro totale që janë detyrimi i shtetit për këtë vit, për punimet fillestare të ndërtimit. Zëvendëskryeministri Artan Grubi, i cili është edhe koordinatori për ndërtimin e dy korridoreve, ka pohuar së fundmi se nuk është paguar asnjë penale nga shteti për konsorciumin “Bechtel dhe Enka”, ndonëse opozita pretendon me këmbëngulje të kundërtën.

NP “Rrugët Shtetërore” thekson vazhdimisht se pagesat janë në përputhje me Marrëveshjen për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D, për mobilizimin, prokurimin e pajisjeve, bazave dhe materialeve për kontraktorin dhe për mbështetjen e aksesit në fonde, për prova gjeomekanike, mobilizim, staf me mekanizim , ngritjen e kampeve, laboratorëve dhe punimeve të tjera nga kontraktori.

Sipas njoftimeve, deri në vitin 2027 duhet të ndërtohen 110 kilometra autostradë dhe kjo do të kushtojë të paktën 1.3 miliardë euro. Rreth 300 milionë do të nevojiten për shpronësimin e tokës nëpër të cilën do të kalojnë autostradat.(PRESSonline.al)

Show More

Related Articles

Back to top button