LajmeRajon

Hovenier: Serbia ka përgjegjësi për të hetuar, arrestuar dhe ekstraduar të dyshuarit për sulmin e Banjskës

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka folur mbrëmë për sulmin në Banjskë duke thënë se autorët e sulmit duhet të japin përgjegjësi të plotë në përputhje me sundimin e ligjit.

Ai tutje tha që ajo që ndodhi në Banjskë ishte e tmerrshme.“Qeveria amerikane po përfundon vlerësimin e saj të përgjegjësisë. Ende nuk e kemi përfunduar. Por do të përsëris atë që kemi thënë më parë, ata që janë përgjegjës për këtë vepër kriminale, për vrasjen e një polici, për kërcënim të sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi. Dhe do të punojmë me partnerët tanë kosovarë dhe të tjerët për të siguruar që kjo të ndodhë”, tha Ambasadori Hovenier, raporton Gazeta10.

I pyetur se a duhet të ekstradohet Milan Radojiçiqi në Kosovë, Ambasadori Hovenier citoj atë që kolegu i tij Robert Wood kishte thënë në Këshillin e Sigurimit gjatë takimit të fundit të Këshillit të Sigurimit për këtë.

“Ky është qëndrimi i Qeverisë së SHBA-së, nuk ka ndryshuar: Autorët e sulmit duhet të japin përgjegjësi të plotë në përputhje me sundimin e ligjit. Kjo përfshin përgjegjësinë e Serbisë për të hetuar, arrestuar, ekstraduar apo ndjekur penalisht çfarëdo të dyshuari që mund të ketë ikur në Serbi. Ky mbetet qëndrimi i qeverisë sime”, tha ai.

Hovenier gjithashtu ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës plotësisht e mbështesin propozimin evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që iu prezantua kryeministrit Albin Kurti nga pesëshja diplomatike, më 21 tetor.

Sipas Hovenier, ShBA është në të njëjtën linjë me Francën, Gjermaninë, dhe Italinë për draft-statutin e Asociacionit.

“Në deklaratën e fundit të presidentit të Francës, kancelarit të Gjermanisë dhe kryeministrit të Italisë, ata përshkruan draft-statutin – që ata e dinë se e miratojnë plotësisht dhe do të shtoj, Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht – si një “mënyrë bashkëkohore evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane brenda parametrave të përcaktuar nga palët”. Ne pajtohemi me këtë”, deklaroi ai në Kanal 10.
Tutje, ambasadori Hovenier shtoi se Asociacioni “është një përkushtim, obligim i Kosovës” por se gjithashtu ShBA e kuptojnë dhe pranojnë se “ai Asociacion i komunave me shumicë serbe duhet të kufizohet në mënyra të caktuara”, tha ambasadori

Hovenier theksoi se Asociacioni duhet themeluar përkrah parimeve të Kushtetutës së Kosovës dhe të jetë në përputhje me editorialin dhe qëndrimin që ShBA-ja e shprehu përmes Derek Chollet dhe Gabriel Escobar.

Show More

Related Articles

Back to top button