LajmeMaqedoni

RMV, deri më tani për vaksinë kundër gripit sezonal kanë aplikuar mbi 47 mijë qytetarë

Sipas të dhënave nga sistemi “Termini Im”, më shumë se 47.000 qytetarë kanë aplikuar për vaksinim falas kundër gripit sezonal, informojnë për Meta.mk nga Ministria e Shëndetësisë. Regjistrimi elektronik në faqen vakcinacija.mk ka filluar më 9 tetor, transmeton Portalb.mk.

Vaksinimi falas mbulon grupet e rrezikut të popullsisë – të rriturit (mbi 65 vjeç), personat me sëmundje kronike, punonjësit e shëndetësisë, gratë shtatzëna, fëmijët e moshës 6 muaj deri në 5 vjeç, si dhe personat e vendosur në institucione për mbrojtjen sociale të të moshuarve dhe personat e punësuar në institucionet e mbrojtjes sociale të të moshuarve”, rikujton Ministria e Shëndetësisë.

Ndonëse ishte paralajmëruar se të regjistruarit do të njoftohen me SMS për orën e saktë të vaksinimit, megjithatë qytetarët reagojnë se edhe pse janë regjistruar në kohë në mënyrë elektronike, nuk kanë marrë një mesazh SMS që i njofton për datën e saktë të vaksinimit. Në vend të kësaj, ata u kontaktuan me telefon dhe u informuan gojarisht për datën dhe orën se kur duhet të paraqiteshin në një qendër vaksinimi për të marrë vaksinën. Meta.mk nuk ka marrë përgjigje në pyetjen e autoriteteve nga Ministria e Shëndetësisë pse ndodh kështu.

Vaksinimi bëhet në territorin e gjithë vendit në qendrat e shëndetit publik dhe në disa nga qendrat shëndetësore në Shkup. Përveç kësaj, qendrat e shëndetit publik ofrojnë edhe vaksina për përdorim komercial.

Për të siguruar mbrojtje për një numër më të madh të personave nga gripi sezonal, Ministria ka rritur sasinë e vaksinave të blera për sezonin 2023/2024.

“Tani janë blerë 60 mijë doza të katër llojeve të vaksinave të gripit sezonal për vaksinim falas”, shtuan ata.

Vaksinimi kundër gripit sezonal është masa më efektive për parandalimin e gripit, i cili parandalon shfaqjen e formave më të rënda, ndërlikimet dhe vdekjen, veçanërisht në grupet e rrezikut.

Ndryshe, numri i personave me grip dhe sëmundje të ngjashme me gripin gjatë periudhës njëjavore nga tetori i këtij viti është rritur për 41,6 për qind, krahasuar me 13 stinët e kaluara. Kështu thuhet në raportin për gjendjen e gripit në vend, i cili është publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik.

“Krahasuar me javën e 42 të sezonit të kaluar, është regjistruar një rritje prej 96.3 për qind. Deri në këtë javë janë raportuar gjithsej 151 raste me grip. Po ashtu, po monitorohet gjendja me infeksione të rënda akute respiratore, kështu që këtë javë janë raportuar gjithsej 32 raste të tilla në Shkup dhe Shtip. Numri më i madh i këtyre rasteve janë raportuar nga Instituti për sëmundje të mushkërive te fëmijët – Kozle, ndërsa sa i përket shpërndarjes moshore, numri më i madh i rasteve janë fëmijët nën moshën 4 vjeçare”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.

Show More

Related Articles

Back to top button