LajmeMaqedoni

Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut do të reformohet me “vetërregullim”

Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut, i cili para disa muajsh ishte në shënjestër të kritikave nga vendi dhe faktori ndërkombëtar për shkak të një sërë skandaleve, do të reformohet me “vetërregullim”, brifojnë nga Ministria e Drejtësisë, të cilët, për javën e ardhshme kanë paralajmëruar formimin e Grupit Punues i cili do të identifikojë zbrazëtirat ligjore, të cilat keqpërdoren nga anëtarët e Këshillit.

Grupi do të përbëhet prej 12 deri në 15 persona të cilët do të vijnë nga Shoqata e Gjyqtarëve, sektori joqeveritar, si dhe përfaqësues të komunitetit akademik dhe ekspertë nga fusha përkatëse.

“Të hënën ose të martën do ta formojmë Grupin Punues për Reforma në Këshillin Gjyqësor, është diskutuar me profesorin Vllado Kambovski që të jetë në krye të grupit, zëvendësi do të jetë nga Shoqata e Gjyqtarëve, do të ketë edhe prej organizatave joqeveritare. Tanimë është diskutuar, dje edhe sot i kemi kontaktuar të gjithë individualisht. Ka pranuar të jetë pjesë e grupit Jeton Shasivari, Besa Arifi, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese Sali Murat dhe të tjerë”, thanë në brifing me gazetarët nga Ministria e Drejtësisë.

Ata shpjegojnë që reformimi i Këshillit Gjyqësor, duhet të bëhet në atë mënyrë që në fund, Këshilli të vetërregullohet nëpërmjet Shoqatës së Gjyqtarëve. Ndërkaq, do të vendoset dhe mekanizëm për kontrollin e tyre, pasi që anëtarët e Këshillit Gjyqësor, tani për tani nuk japin llogari para askujt.

“Patjetër të zgjidhet çështja ligjore e anëtarëve, pra ata nuk japin llogari para askujt, kjo është zbrazëtirë në ligj. Sipas nesh, ata do të duhet minimum dy herë në vit të dorëzojnë raporte në kuvendin e shoqatës së tyre dhe kështu ata (Shoqata e Gjyqtarëve) do t’i thirrin në përgjegjësi, pasi atë pjesë nuk dua ta marrim si kompetencë, pasi në pyetje është politika. Kështu, nëse vetërregullohen atëherë edhe më mirë do të jetë për sistemin dhe për ne”, brifojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Të pyetur nëse është lëshuar ideja për shpërbërjen e Këshillit, nga Ministria thonë se, nuk është hedhur poshtë, por është çështje që do të zbatohet dalë-ngadalë.

Show More

Related Articles

Back to top button