LajmeRajon

Kosovë, sektori i energjisë më i godituri nga sanksionet e BE-së

Sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës kanë goditur më së shumti sektorin e energjisë në vlerë rreth 75 milionë euro, në projektin për të ndihmuar në subvencionimin e pakove të energjisë.

Ndërkaq, nga projektet tjera që kanë qenë të destinuara për vendin, Kosova është duke humbur me dhjetëra miliona euro të tjera. Kështu bëjnë të ditur njohës të ekonomisë, të cilët shprehen të shqetësuar për gjendjen ekonomike në Kosovë pas sanksioneve nga BE.

Drejtoresha ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Zana Beqiri, thotë se në vend se Kosova të ishte në fazën zhvillimore me projektin e IPA 2, vendi mbetet ende tek fondet e IPA 1. Sipas saj, Kosova duhet ta zë hapin sa më parë në zhvillimin e këtyre projekteve.

Beqiri për KosovaPress thotë se masat e BE-së kanë ndikuar që ekonomia e Kosovës dhe realizimi i projekteve të jenë në nivele të ulëta.

“Po shpresojmë se BE do t’ heq këto masa sa më parë, porse këto masa kanë ardhur si rezultat i çështjeve politike, por fatkeqësisht po ndikon mjaft në zhvillimin ekonomik në vend, sepse një numër i madh i kompanive, institucioneve dhe shkollave qoftë atyre shkollore-private ose edhe publike kanë bërë plan në një numër të madh të projekteve zhvillimore të cilat do të ndihmonin edhe ekonominë në mënyrë të tërthortë ose direkte, qoftë me grante, subvencione, projekte të përbashkëta me institucionet vendore lokale dhe qendrore. Mirëpo, një vonesë e tillë, kjo në mënyrë të vazhdueshme krijon presion edhe tek biznesi, qeveria, mirëpo për këtë pikë Qeveria duhet të loboj sa më shumë, sa më shpejtë të ndërmerr hapa konkret që të dalim prej kësaj situate sepse jemi me vonesa. Vendet tjera kanë kaluar në fazën e IPA2, ne jemi në IPA1, nuk jemi asgjëkund me shpenzimet ose me realizimin e projekteve. Kështu, ta zëmë hapin sa më parë”, thotë Beqiri.

Beqiri ka apeluar tek BE dhe institucionet tjera relevante që të heqin masat, sepse sipas saj, Kosova nuk e meriton të ketë sanksione të tilla.

Mes tjerash, ajo thotë se Kosovës i janë mbetur të bllokuara rreth 75 milion euro vetëm në fushën e energjisë.

“Problemi te IPA 1 është që shembull problemet e projekteve zhvillimore sa i përket bujqësisë, gjitha janë në pauzë e sipër, pastaj janë e promovimit të eksportit, bashkëpunimeve rajonale, pastaj pjesa e energjisë ka ndikuar më së shumti, sepse është ndarë një shumë mjaft e madhe sa i përket reformimit të ekonomisë së energjisë nëpër Ballkan në përgjithësi, përfshirë edhe Kosovën.

Mirëpo ajo shumë është ndërprerë për shkaqe të ndryshme politike, këtu pëson shumë sektori i energjisë, posaçërisht tash që jemi me iniciativa mjaft të mira prej shumë bizneseve, qytetarëve që janë angazhuar në gjenerimin e energjisë së ripërtritshme përfshirë këtu solarët e ndryshme..

Sa i përket energjisë ka qenë mjaft e dëmshme edhe ndërprerja e projekteve të energjisë prej BE-së, përfshirë këtu pakon mbështetëse të cilat kanë qenë 75 milion euro që është dashtë të kalojë në subvencionimin e pakove të energjisë, pastaj subvencionimi i qytetareve në kursim dhe gjetjen e mënyrave të prodhimit të energjisë në mënyrë efeciente dhe të gjitha këtë janë pezulluar, dhe po shpresojmë të lirohen më shpejtë”, shton Beqiri.

Show More

Related Articles

Back to top button