Kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski sërish kërkoi besimin e qytetarëve për të siguruar shumicën prej 61 deputetësh në Kuvend.
Ai në një takim me qytetarët në Vasilevë dhe Prilep theksoi se kjo është e domosdoshme sepse vendi ka nevojë për shpëtim dhe reforma.
Mickoski shtoi se kushdo që mendon se margjinalët politikë mund të jenë alternativë, ata do ti ndihmojnë Ali Ahmetit, Artan Grubit, Bujar Osmanit, Dimitar Kovaçevskit, Oliver Spasovskit, Bojan Mariçiqit e të tjerëve.
“Këtë luftë do ta fitojmë me strategji dhe inteligjencë, kemi vetëm muaj përpara deri sa të përmbyllim fitoren historike dhe atë fitore të dyfishtë në zgjedhjet parlamentare me 61 deputetë dhe në zgjedhjet presidenciale. Dhe pastaj vjen pjesa më e vështirë, për t’u marrë seriozisht me punë, për të rikthyer dinjitetin, atë që u grabit dhe kjo mund të bëhet vetëm nëse ka përgjegjësi. Prandaj na duhen ata 61 deputetë për të realizuar të gjitha reformat”, tha Mickoski.(INA)