LajmeMaqedoni

Sot vjetërsohet edhe rasti gjyqësor “TNT”, shpëtojnë Gruevski me “kompaninë”!

Pronari i kompanisë “FINE Shkup” dhe biznesmeni Fiat Canoski në një konferencë për media akuzoi për precedent gjyqësor në Gjykatën e Apelit.

Ai pohon se është duke u përgatitur parashkrimi për rastin gjyqësor ‘TNT’ që ka të bëjë me rrënimin e kompleksit banesor-afarist “Kosmos”.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë të Gjykatës penale, investitori i “Kosmos”, përkatësisht Canoski, për shkak të rrënimit të kompleksit duhet të marrë kompensim dëmshpërblimi prej gati 11 milionë eurove.

Canovski tha se deri tek vjetërsimi ka ardhur si pasojë e manipulimit të procesverbalit.

“Shpërdorimi me detyrën zyrtare është bërë nga ana e gjykatësit Gjoko Ristov në disa raste. Shpërdorim ka edhe në shkallën e parë nga ana e personave që kanë falsifikuar procesverbalin e aktvendimit gjyqësor. Ky shpërdorim është bërë nga më shumë njerëz gjatë procedurës në shkallën e parë por edhe në Apel. Procesverbali ka qenë i shkruar mirë, por të njëjtin e kanë falsifikuar”, theksoi Fiat Canovski.

Lidhur me këto akuza,  ka reaguar Gjykata e Apelit, e cila ka theksuar se veprimi i mëparshëm i këshillit gjykues në lidhje me rastin TNT është në përputhje me dispozitat e Ligjit për Procedurën Penale.

Apeli në njoftimin me shkrim bën të ditur se në nëntor të vitit 2022, përmes sistemit AKMIS, lënda i është caktuar gjyqtarit raportues Enver Bexheti. Në dhjetor të të njëjtit vit, gjyqtari Gjoko Ristov u caktua të kryesojë një këshill prej pesë gjyqtarësh, sipas planit vjetor të punës së Këshillave Gjyqësorë për vitin 2023, i cili u miratua nga ushtruesi i detyrës së atëhershme, kryetarja e Gjykatës, Lidija Damçevska.

Në janar të vitit 2023 është bërë ndryshim dhe plotësimi i orarit, me të cilin gjyqtari Enver Bexheti është ricaktuar për t’u marrë me lëndët e kundërvajtjes. Të gjitha lëndët që kanë mbetur të papërfunduara nga ana e tij, përfshirë edhe lëndën TNT, automatikisht janë rishpërndarë.

Për rrëzimin e kundërligjshëm të objektit “Kosmos”, ish kryeministri Nikolla Gruevski u dënua me 9 vite burg, ndërsa ish ministri i Transportit, Mile Janakievski me 3 vite burg.

Të dy së fundi shpëtuan edhe nga dënimet për rastin “Trajektorja” me autostradat kineze, pavarësisht se dëmi ndaj buxhetit të shtetit rezulton plot 155 milion euro, raporton Alsat.

Ndryshimet e fundit në Kodin Penal çuan në vjetërsim edhe disa akuza kundër ish shefit të policisë sekrete, Sasho Mijallkov. Sipas Alsat me miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal në shtator, 14 lëndë gjyqësore në të cilat akuzohen mbi 80 persona do të vjetërsohen.(INA)

Show More

Related Articles

Back to top button