LajmeRajon

Nis takimi i Lajçakut me përfaqësuesit e opozitës

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka nisur takimin me krerët e opozitës në Kosovë.

Në takim po marrin pjesë kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, nga LDK përfaqësues është nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri, dhe nga AAK kreu i partisë Ramush Haradinaj e Besnik Tahiri, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Gazeta Online Reporteri.net ka marrë vesh se emisari i BE’së, në takimin e sotëm me opozitën kosovare parashihet t’ua prezantojë atyre draftin e ri “modern evropian” për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin sipas BE’së dhe Qeverisë së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti është pajtuar me të në Bruksel.

Lajçaku mbrëmë pati takim me zëvendëskryeministrin Bislimi me të cilin ka thënë se kanë rënë dakord për hapat e ardhshëm në dialog.

“Sapo u takova me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi si vazhdimësi e takimit të fundit me liderët evropianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Ne ramë dakord edhe për hapat e ardhshëm [në dialog]”, ka shkruar Lajçak në platformën X.

Nga ana tjetër, Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, tha se pati një darkë pune me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Në këtë takim u diskutua në lidhje me të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke”, citohet të ketë thënë tutje Bislimi.

Emisari i BE-së vjen në Prishtinë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, ku kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan ndaras me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe zyrtarë të tjerë të BE-së.

Para atyre takimeve, pesë emisarët perëndimorë në krye me Lajçakun vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor, ku ua prezantuan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin, për të cilin thonë se është model modern evropian, por përmbajtja e të cilit nuk është bërë e ditur deri më sot.

Show More

Related Articles

Back to top button